“Qyteza marsiane” e Kinës

“Qyteza marsiane” e Kinës

04 September 2019 15:31

Dikush thotë se Lenghu mbase është vendi më "i huaj" në Tokë. I izoluar në shkretëtirën Gobi të Kinës Perëndimore me një qiell të ndriçueshëm plot yje, Lenghu, emri i të cilit fjalë për fjalë do të thotë "liqen i ftohtë", duket si një përjashtim në botën njerëzore.

Qyteza Lenghu është nën administrimin e qytetit Mangya të provincës Qinghai të Kinës Veriperëndimore. Ndërsa qyteti më i afërt prej saj është Dunhuang-u, 230 kilometra larg.

Ajo ka qenë një qendër e naftës me 120 mijë banorë. Pasi nafta mbaroi në vitet '80 të shekullit të kaluar, popullsia u zvogëlua shpejt deri në 800. Por tani, me peizazhin që i ngjan shumë Marsit, Lenghu sheh përsëri mundësinë e zhvillimit. Ajo është bërë një pikë e nxehtë për studimet shkencore, arsimin dhe letërsinë tekniko-shkencore.

Vetëm brenda dy vjetësh, qyteza ka tërhequr shumë investime. Këtu u ndërtua një "kamp i Marsit" dhe nisi dhënia e çmimeve për letërsinë tekniko-shkencore. Ndërkohë, para fundit të këtij viti, do të instalohen një grup teleskopësh profesionalë.

Lenghu ka qenë një ndër katër qendrat më të mëdha të naftës në Kinë. Industria e nxjerrjes së naftës filloi nga vitet '50 të shekullit të kaluar. Në dimër, temperatura shkon deri në minus 20 gradë celsius, kurse në verë, rrezet e forta diellore mund të të djegin. Prandaj, pasi mbaroi nafta, shumë familje punëtore u kthyen në provincat nga të cilat erdhën. Ndërsa tani, kushtet e vështira natyrore janë shndërruar në shpresë të zhvillimit.

"Shitja e yjeve"

Në vitin 2017, pushteti vendor nisi planifikimin për shfrytëzimin e qiellit të kthjellët me yje të ndriçueshme për të nxitur përparimin e ekonomisë vendore.

Zyrtarët kontaktuan Deng Licai-n, një shkencëtar me përvojë nga Observatori Astronomik Kombëtar pranë Akademisë së Shkencave të Kinës, që ishte duke punuar për një projekt në një observator në Delingha, 560 kilometra larg Lenghu-së.

Me të parë nga afër kushtet natyrore të Lenghu-së, Deng e vlerësoi atë si një pikë ideale për vëzhgimet astronomike.

Pas kërkimeve që zgjatën për një vit, shkencëtarët përcaktuan majën e malit Saishiteng, që është 4 200 metra mbi nivelin e detit dhe një orë rrugë larg nga qendra e Lenghu-së, si vendin më të përshtatshëm për instalimin e teleskopëve.

Faza e parë e ndërtimit ishte shumë e vështirë. Por, pas përurimit të dy kullave monitoruese, më shumë institute dhe universitete filluan të mblidheshin këtu. Tani janë instaluar mbi 30 teleskopë në majën e Saishiteng-ut dhe të dhënat që grumbullojnë ata dërgohen automatikisht në qendrat e analizës.

Meqëse tani këtu është qendra më e madhe e vëzhgimit në Azi, 20 teleskopë të tjerë për një projekt për përdorim ushtarako-civil do të instalohen para fundit të këtij viti. Ndërkohë, në vijim do të ketë më shumë projekte kombëtare shkencore.

Jo vetëm kaq, por në përkitje me idenë e "shitjes së yjeve", Lenghu do të krijojë edhe bazë të praktikave për studentët e degës së astronomisë, dhe do të zgjerojë bashkëpunimin me universitetet e ndryshme. Idetë e fundit përfshijnë edhe ndërtimin e sistemit të posaçëm të observatorëve për adhuruesit e vëzhgimeve astronomike, në mënyrë që ata të ndjekin lëvizjen e trupave qiellore nëpërmjet kontrollit në largësi të teleskopëve në Lenghu, duke qëndruar në shtëpitë e veta.

Kamping në "Mars"

Më 1 mars, në Lenghu u hap ndaj publikut Kampi i Marsit, që ka për qëllim tërheqjen e turistëve dhe të ngjallë interesin e fëmijëve për astronominë.

Në Kampin e Marsit vizitorët mund të përjetojnë jetën në një kabinë hapësinore, të marrin pjesë në një "mision shpëtimi" dhe të shijojnë një "gosti të Marsit" që përbëhet nga patate të ziera, karrota, mish qengji dhe mish i konservuar i skuqur.

Kampi tani mund të presë 56 vizitorë në të njëjtën kohë dhe një "qytet" më i madh është në ndërtim e sipër.

Sipas Jiang Feng-ut, bashkëthemeluese e kampit, qëllimi kryesor i projektit është edukimi shkencor, sidomos për të rinjtë.

"Në kampin tonë ofrohen mësimet STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë). Ne u bëjmë pyetje fëmijëve gjatë vizitës dhe i nxisim ata të mendohen dhe të zgjidhin problemet që ndodhin në rrethana të ndryshme. Në vitin 2040, do të zbresim në Mars dhe duam të përgatisim talente për këtë", shtoi ajo.

Revolucioni letrar

Rajoni Eboliang Yardang në Lenghu i ngjan më shumë Marsit. Në këtë tokë "të huaj", nuk ka asnjë shenjë jete, as florë e as fauna, por vetëm gjenden shkretëtira pafund me kodra të panumërta pas "gërryerjeve" shumëvjeçare nga era e fortë.

"Vizitorët thonë se Lenghu është një vend ideal për xhirimin e filmave. Po ku të gjejmë kaq shumë regjisorë për një temë kaq specifike? Prandaj vendosëm të eksplorojmë me forcat tona", thotë një ndër drejtuesit partiakë të Lenghu-së, Tian Cairang.

Çmimi Lenghu për letërsinë tekniko-shkencore nisi në vitin 2018. Atë vit, 160 proza që morën pjesë në konkurrim rrëfyen histori të ndryshme për të përshkruar Lenghu-në, duke i bërë publicitet të mirë këtij vendi nëpërmjet lidhjes së tij me eksplorimin hapësinor.

Në ceremoninën e dhënies së çmimeve të zhvilluar në Kampin e Marsit, ishin të pranishëm disa shkrimtarë të njohur të letërsinë tekniko-shkencore. Veprat fituese u përmblodhën në një libër, "12 Lenghu", ndërsa fituesi i çmimit të dytë, "Valltari i Shpirtit", pas përpunimit u bë skenar i një "filmi tejndjesor" për njerëzit që nuk shikojnë dhe u shfaq në shumë qytete të mbarë vendit.

Sivjet, numri i veprave pjesëmarrëse u shtua në 420 dhe fituesit do të shpallet në tetor në Pekin/CRIonline.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme