Kuriozitet

16-vjeçari bëhet kampion i “Fortnitet”, fiton 3 milionë dollarë

Adoleshenti amerikan Kyle Giersdorf ka fituar tre milionë dollarë të dielën pasi fitoi vendin e parë në turneun e video-lojës së famshme online “Fortnite”.

16-vjeçari nga Pensilvania, doli më i miri nga 100 garuesit e fundit në New York, për të marrë çmimin kryesor nga 30 milionë dollarët e ndarë në total.

Duke luajtur nën nofkën “Bugha”, Giersdorf fitoi garën solo në Kampionatin Botëror të “Fortnitet”, duke mbledhur 59 pikë, 26 më shumë se rivali më i afërt.

“Fjalët nuk mund ta shpjegojnë ndjenjën time. Jam tejet i lumtur”, ka thënë ai pas fitores, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

E lansuar më 2017, “Fortnite” ka ndihmuar kompaninë “Epic Games” të arrijë vlerën e 15 miliardë dollarëve vitin e shkuar. Të hyrat globale nga e-sportet dhe garat e video-lojërave pritet të kapin shifrën e 1.1 miliard dollarëve më 2019. Në total, tregu i video-lojërave dhe lojërave elektronike, përfshirë të hyrat nga e-sportet, do të gjenerojë 152.1 miliardë dollarë më 2019.

Në këtë turne, të dielën milioner u bë edhe një 15-vjeçar në garën me dy vetë.

Image