Kuriozitet

Kampionati i qethjes së deleve, në garë 320 persona nga 34 vende të botës

Ekspertë të qethjes së deleve janë mbledhur në një qytezë të vogël në Francë, për hapjen e kampionatit të përvitshëm botëror, një event katër ditor që mbahet për të parën herë në tokë franceze. Më shumë se 320 garues nga 34 vende, që nga Norvegjia, Japonia dhe ishujt Kuk, po konkurrojnë për çmimet e mëdha të qethjes me gërshërë apo makinë. Dhe 5 mijë dele të mbledhura në një vend, pa dyshim që do të vlerësojnë qethjen, me temperaturat që do të shkojnë deri në 34 gradë celsius në ditët në vijim në Le Dorat, të Francës qendrore.

Kjo është hera e parë që ky garë ndërkombëtar mbahet në Francë edhe pse në qytezën me 1800 banorë, janë zhvilluar më parë kampionate lokale të qethjes së dhenve. Vitin e shkuar, në qytezë u mbajt edhe një maratonë 24 orëshe e qethjes së dhenve, me gjashtë qethës që kaluan nëpër duar 2500 dele dhe prodhuan gjashtë tonë lesh.

“Kampionati botëror është shumë fantastik dhe spektakolar. Ne duam ta ndajmë atë me popullin francez”, thotë një pjesëmarrës.

Delet zakonisht qethen një herë në vit për të evituar sëmundjet që shkaktohen nga pickimet, pleshtat dhe insektet e tjera në leshin e tyre.

Finalja e kampionatit mbahet të dielën me fituesin që do të duhet të qethë 20 qengja në më pak se 16 minuta. Dhe cilësia në këtë pikë nuk është fort e rëndësishme. Zelanda e re, konsiderohet favorite për titullin botëror./Tch/