Kuriozitet

Trumpi gëzon shëndet të mirë ani pse ka 110 kg

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shtuar peshë në vitin e fundit dhe tani zyrtarisht konsiderohet “obez”, mirëpo pavarësisht kësaj, ai vazhdon “të gëzojë shëndet të mirë”.

Kështu kanë njoftuar mjekët që kujdesen për shëndetin e presidentit amerikan, pas testimeve të fundit shëndetësore që ka kryer ai.

Rezultatet, që janë publikuar nga Shtëpia e Bardhë më 14 shkurt kanë treguar se indeksi trupor i Trumpit është 30.4, bazuar në 110.22 kilogramët e tij dhe gjatësinë prej 190 centimetrave, transmeton rel.

Pas krahasimit të analizave është parë se Trump ka peshuar 108.4 kilogramë një vit më parë.

Indeksi trupor 30, konsiderohet se hyn në shkallën e obezitetit.

Sipas të dhënave të fundit, rreth 40 për qind e amerikanëve janë obezë.

Megjithatë, doktori i Trumpit ka thënë se presidenti 72-vjeçar është i shëndetshëm.

“Pasi kemi analizuar të gjitha testet laboratorike dhe rekomandimet e specialistëve, unë besoj se presidenti gëzon shëndet të mirë”, ka thënë mjeku, Sean Conley.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk konsumon alkool dhe nuk pin duhan, mirëpo është thënë se atij i pëlqen ushqimi i shpejtë.