Kur amerikani Stephen Curry, një nga basketbollistët më të mire të viteve të fundit, ngriti dyshime me zë të lartë mbi faktin nëse kanë ecur në Hënë astronautët, NASA e mori çështjen shumë seriozisht.
NASA u informua për skepticizmin e Curry dhe menjëherë një zëdhënës i saj publikoi një komunikatë.
‘’Do të ishim shumë të lumtur që Curry të vinte të vizitonte laboratorin hënor të Qendrës Hapësinore në Hjuston’’, deklaroi zëdhënësi Allard Beutel, transmeton ATSH shkrimin e AFP-së.
‘’Ne kemi qindra kilogram gurë hënorë që janë të ruajtur këtu si dhe qendrën e kontrollit të misioneve ‘Apollo’. Gjatë vizitës së tij, ai mund të shohë me sytë e tij se çfarë kemi bërë 50 vite më parë si dhe atë që po bëjmë aktualisht për t’u rikthyer dhe qëndruar në Hënë në vitet e ardhshme’’, përfundon zëdhënësi i NASA-s.