Kryeqendra e Shqipërisë të martën ishte nikoqire e një prej samiteve më të rëndësishme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me forca të shtuara të policisë nëpër rrugë, e me snajperë nëpër kulme, u mbikëqyr siguria e përfaqësuesve më të lartë të kontinentit evropian.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një tapet të kuq priti me rend secilin prej përfaqësuesve të BE-së e të Ballkanit.
Mbledhja e liderëve nisi me nënshkrimin e marrëveshjes për romingun mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila parasheh uljen e tarifave nga viti 2020 me synim largimin e tyre të plotë më vonë.
Samitin, presidentja Vjosa Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën, e shfrytëzoi që t’u bëjë thirrje përfaqësuesve të BE-së dhe vendeve anëtare që të bëjnë hapa konkretë për liberalizimin e vizave, si dhe për anëtarësimin në BE.
Pas përfundimit të Samitit, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Rama, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, bëri të ditur mbështetjen konkrete që BE-ja do t’ua jep vendeve të Ballkanit perëndimor.
"Për ne është e rëndësishme që së bashku me partnerët ta adresojmë krizën energjetike. Për ne janë të rëndësishme bizneset, të cilave duhet t’u ndihmojmë që ta përballojnë krizën. 1 miliard euro ndihma do të ndahen për rajonin për krizën energjetike. Kjo shumë do të ndahet në dy pjesë”, tha Von der Leyen.
Në këtë samit, përfaqësuesit e vendeve te BE-së e ata të Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për një deklaratë të përbashkët 33-pikëshe nëpërmjet së cilës, mes të tjerash, është rikonfirmuar angazhimi i plotë i BE-së ndaj perspektivës për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kanë bërë thirrje për përshpejtimin e këtij procesi.