LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja e LDK-ja çojnë në Kushtetuese Ligjin për KPK-në

Ligji për Këshillin Prokurorial është dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Dy partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, ndonëse një veprim të tillë e kanë bërë ndaras nga njëra-tjetra, kanë dhënë qëndrime të njëjta sa u përket ndryshimeve të bëra në ligj, e që, sipas tyre, janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykatës Kushtetuese të premten iu drejtuan dy parti opozitare. Ndaras nga njëra-tjetra, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Ligji për KPK-në cenon pavarësinë e sistemit prokurorial.

“Këshilli Prokurorial me ligjin e ri nuk mundet të ketë kuorum, as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, të kryeprokurorit të shtetit, të prokurorëve të prokurorive themelore, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës, në këtë rast që dërgon mazhoranca që ka Kuvendi. Kjo është e papranueshme. Kjo është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe jemi të bindur që një gjë të tillë do ta nxjerrë si në kundërshtim me Kushtetutën edhe vetë Gjykata Kushtetuese”, është shprehur Tahiri.

Edhe LDK-ja vlerëson se amendamentet e Ligjit për Këshillin Prokurorial janë në kundërshtim ne frymën kushtetuese.

“Interferimet në Këshillin Prokurorial dhe në sistemin e drejtësisë në mënyrë politike janë jo të shëndetshme në demokraci, por edhe për pavarësinë e gjyqësorit qe po tentohet të sigurojnë në mënyrë demokratike dhe pa ndërhyrje dhe pa atë që e quajmë kapje institucionale të këtij institucioni të rëndësishëm”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Dërgimin për vlerësim në Kushtetuese, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e ka konsideruar iniciativë për keqardhje.

“Një parti që e pengon reformën në KPK ka probleme serioze me integritet, ka probleme serioze ta shohë sistemin prokurorial të pavarur, ka probleme serioze me konceptin e sundimit të ligjit, me nevojat e qytetarëve të Kosovës për drejtësi. Përndryshe, nëse Gjykata Kushtetuese vendos drejt, Ligji për KPK do mbetet në fuqi, Ligji zbaton në përpikëri rekomandimet dhe konkluzionet e Venecias”, ka thënë ai.

Dërgimin në Kushtetuese, nëpërmjet Avokatit të Popullit, e ka paralajmëruar ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial.

Ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, janë miratuar më 23 qershor, me 60 vota pro e një abstenim.