LAJMET E MBRËMJES

Paraburgim për ish-pjesëtarin e ISIS-it, që dyshohet se spiunoi për BIA-n e Serbisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit Hysri Selimi, i cili është i dyshuar se nëpërmjet telefonave që i ka pasur në posedim e edhe me anë të takimeve fizike, i ka çuar informata Agjencisë për Siguri të Inteligjencës të Serbisë, e njohur si BIA. Selimi ka qenë edhe pjesëtar i organizatës terroriste ISIS

Tridhjetë ditë paraburgim ia ka caktuar të mërkurën Gjykata Themelore në Prishtinë të dyshuarit për spiunazh në favor të Serbisë, Hysri Selimi, i cili ka qenë ish-pjesëtar i organizatës terroriste ISIS. 
Këtë vendim, Themelorja në Prishtinë e ka marrë pasi ka konstatuar se i dyshuari do të mund të arratisej dhe të ndikonte në hetimin që po zhvillohet ndaj tij, po qe se do të lihej në liri.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, mund lehtë të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale. Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, ai mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra të tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda”, thuhet në njoftimin e gjykatës. 

Gjyqtari Rrahman Beqiri ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme, pasi që ekziston edhe rreziku që i dyshuari ta përsërisë veprën penale. 

“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale, si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, është bërë e ditur në njoftim. 

Avokati i të pandehurit Selimi nuk është deklaruar pas seancës. 

Prokuroria Speciale, bazuar në kërkesën për paraburgim, të cilën e ka siguruar KOHA, pretendon se i pandehuri dyshohet që u ka ndihmuar zyrtarëve të Agjencisë së Inteligjencës të Serbisë (BIA) me informata të dhëna nëpërmjet takimeve fizike dhe komunikimeve me katër telefona. 

Për këto, në bazë të kërkesës për paraburgim, i dyshuari ka pranuar për këto informata shuma parash në vlera të ndryshme, përfshirë një prej 700 eurosh.

I pandehuri, në bazë të kërkesës për paraburgim, i ka çuar BIA-s të dhëna mbi udhëheqës të partive politike, për strukturat e sigurisë në Kosovë, si dhe për persona të radikalizuar.

Në Prokurorinë Speciale kanë konfirmuar për KOHËN se Hysri Selimi, si dhe Jelena Gjukanoviq, e cila u pati arrestuar më herët, janë të dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë. 

“Të arrestuarit e cekur kanë ndihmuar BIA-n serbe”, thuhet në përgjigjen e PSRK-së. 

Në dhjetor të 2022-tës, Selimi është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Selimin pasi ai e ka pranuar fajësinë gjatë procesit gjyqësor, si dhe ia ka llogaritur në kuadër të paraburgimit kohën kur ai ka qenë i ndaluar nga Forcat Demokratike Siriane nga 1 gushti i 2018-s dhe kohën që e ka kaluar në paraburgim në Kosovë, ku është riatdhesuar në maj të 2022-tës. 

Trupi gjykues i kryesuar nga Mentor Bajraktari ka konstatuar se Selimi ka qenë administrator në zyrën e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it dhe në kohën sa ishte aty ka pasur kontakt edhe me udhëheqës të ISIS-it, si Lavdrim Muhaxheri. Gjykata ka vërtetuar po ashtu se i pandehuri ka marrë pjesë aktive në luftime. 

“...përmes aeroportit ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, me numër fluturimi Zurich, WK 403, ka udhëtuar për në Stamboll të Republikës së Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ‘ISIS’, e cila në këto vende ka qenë duke luftuar, ku edhe është angazhuar si pjesëtar i ‘ISIS-it’, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘ISIS-it’, është financuar nga ‘ISIS’ me shumën e të hollave prej 100 dollarëve amerikanë në muaj, duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të ‘ISIS-it’, si: L. M., R. A., B. Sh., V. Q., A. M. dhe N. L.,e të tjerë e që nga B. Sh. ka pranuar një revole me rastin e kurorëzimit të vajzës së tij D.S. me të njëjtin person e që më pastaj është dorëzuar te Forcat Demokratike Siriane, ku edhe me datë 28.5.2022 është riatdhesuar në Kosovë”, thuhet në aktgjykim. 

Në bazë të paragrafit 3 të nenit 124, në të cilin është bazuar prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, “kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”. 

Në paraburgim, nën dyshimet për veprën penale “spiunazh” aktualisht ndodhen në paraburgim pesë të pandehur. Dy prej tyre janë të akuzuarit e parë për spiunazh qëkur është shpallur pavarësia e Kosovës: Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi. Ndërsa Selimi, zyrtarja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jelena Gjukanoviq, si dhe i akuzuari për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor më 2022, Aleksandar Vllajiq, e kanë statusin e të dyshuarve.