LAJMET E MBRËMJES

Osmani: BE-ja të ketë qasje të balancuar në dialogun Kosovë-Serbi

Nga selia e NATO-s, presidentja Vjosa Osmani i ka bërë thirrje BE-së që të ketë qasje të balancuar në dialogun me Serbinë. Ajo ka theksuar se vetëm nëpërmjet qasjes së barazisë së plotë mund të shihen rezultate të qëndrueshme e që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon. E, pas pritjes që ia ka bërë Osmanit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes të dyja vendeve

Presidentja Vjosa Osmani ka shtruar nevojën që emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi të ketë qasje të balancuar në proces.

Ajo ka qëndruar të enjten në Bruksel, ku është pritur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se BE-ja në disa raste nuk ka pasur qasje të balancuar.

“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë”, ka thënë presidentja Osmani. “Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur nuk e kemi parë këtë balancë”.

Pas konstatimit të dhënë, ka shtruar një kërkesë për komunitetin ndërkombëtar.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë që të sigurojnë këtë lloj balance”, është thirrja që presidentja Osmani e ka bërë nga selia e NATO-s. “Ta sigurojmë parimin e barazisë së plotë, e pozicionimit të plotë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme e rezultate që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon”.

Vizita e Osmanit në Bruksel është realizuar në kohën kur ndërkombëtarët kanë shtuar presionin ndaj Kosovës për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por presidentja ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit duhet zbatuar e plotë dhe pa kushte.

“S’ka asnjë nen më me rëndësi se tjetri”, ka thënë ajo, ndërsa ka shtuar se Serbia vazhdon ta shkelë marrëveshjen.

Pas takimit me Osmanin, shefi i NATO-s ka thënë se aleanca ushtarake e mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes të dyja vendeve.

Stoltenberg ka deklaruar se mirëpret takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel javën e ardhshme, ndërsa ka theksuar se ky takim “është mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”.

Ndërkombëtarët presin rezultate të shpejta edhe në shtensionimin e veriut të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s disa herë ka bërë thirrje për shtensionim dhe ka kërkuar nga palët të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta arritur këtë rezultat.

Stoltenberg ka konstatuar se nga Kosova ka parë veprime.

“Ne mirëpresim hapat e fundit të Prishtinës që janë ndërmarrë për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave dhe planet për zgjedhje. Është esenciale të anashkalohen çfarëdo lloj përshkallëzimesh të mëtejme”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s. “I inkurajojmë të dyja palët të veprojnë sipas zotimeve të tyre”.

Dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë lënduar, disa nga ta rëndë, nga turma serbe që dhunshëm kanë kundërshtuar kryetarët shqiptarë, pas vendosjes së tyre në zyra në komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë. Kryetarët u zgjodhën nëpërmjet procesit elektoral që është bojkotuar nga serbët, proces që i parapriu dorëheqja e anëtarëve të këtij komuniteti nga institucionet lokale e qendrore, përfshirë edhe nga Policia e institucionet e drejtësisë.

Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të KFOR-it në veri ka qenë e papranueshme. Ai ka theksuar se për Aleancën Veriatlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë i situatës.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”, ka thënë Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s përsëriti se Forca e Sigurisë e Kosovës nuk mund të kalojë në veri pa pëlqimin paraprak të NATO-s.

“Stabiliteti i rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it varet nga të gjitha palët që respektojnë zotimet ekzistuese. Në përputhje me zotimet e Prishtinës të vitit 2013, çdo zbarkim i Forcës së Sigurisë të Kosovës në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it. Presim konsultimet me kohë në çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”, ka thënë Stoltenberg.

Por një deklaratë e shefit të NATO-s flet edhe për ndalesën e njësive elite policore për të hyrë në veri pa miratim paraprak.

Sipas tij, çdo zbarkim i forcave speciale në veri të vendit duhet të bëhet në koordinim me NATO-n.

Ai është pyetur nëse është kriter i ri koordinimi edhe për zbarkimin e forcave speciale, pasi, sipas marrëveshjes dypalëshe, bëhet fjalë vetëm për Forcën e Sigurisë të Kosovës.

“Nuk është kriter i ri. Është baza e misionit për një kohë të gjatë tashmë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon pajtimin e KFOR-it dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt mes autoriteteve në Prishtinë me çfarëdo lloj zbarkimi të forcave që mund të ndikojë pozitën tonë e të sigurinë në Kosovë”, është përgjigjur Stoltenberg.

Por presidentja Osmani ka thënë më pas se marrëveshja e Kosovës me NATO-n e vitit 2013 e vë theksin vetëm te FSK-ja.

“Marrëveshja e vitit 2013 fokusohet vetëm te Forca e Sigurisë e Kosovës, Policia e Kosovës ka vepruar dhe ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në gjithë territorin e Kosovës për më shumë se dy dekada. Dje e festuam përvjetorin e krijimit të Policisë, është forca më profesionale e shumetnike në gjithë rajonin. Si parim insistoj në koordinim me aleatë, jo vetëm për veriun”, ka thënë ajo. “Duhet të punojmë për koordinim me aleatë për çdo centimetër, për gjithë rajonin, për shkak të orientimit strategjik – integrimit euroatlantik. Së bashku me partnerë, rezultate më frytdhënëse, më shumë paqe, prosperitet. Do të punojmë së bashku, sepse 29 maji na tregoi të gjithëve se ata që janë kundër Kosovës janë kundër NATO-s”.

Presidentja ka vlerësuar se Kosova është sukses historik i aleancës ushtarake, NATO, dhe se, sipas saj, forcat keqdashëse po duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Ajo ka thënë se nuk do të lejohet që veriu i Kosovës të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Saktësisht për shkak se Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë. Kosova dhe rajoni nuk duhet të sfidohen për shkak të keqdashjes ruse. Veriu i Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Republikës. Nuk do të lejojmë që veriu të jetë fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonalë”, ka thënë Osmani. “Ne jemi për integrimin e veriut. I kam dënuar sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it që janë organizuar nga krimi serb. Mendjet tona janë me ushtarët e lënduar”.

Në emër të institucioneve, presidentja ka shprehur gatishmërinë që në bashkëpunim me NATO-n të sillen para drejtësisë kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës gjatë fund të majit.

“Nëse ka pandëshkueshmëri ndaj sulmeve, kryerësit ka rrezik që do të trimërohen për të përsëritur aktet e dhunës. Si presidente dhe në emër të institucioneve, i ofrojmë NATO-s bashkëpunim të plotë për t’i sjellë kryerësit e atyre veprave para drejtësisë. Shpresoj që të punojmë së bashku për të përforcuar marrëdhëniet tona me KFOR-in, partnerin tonë më të rëndësishëm të sigurisë”, ka thënë ajo.

Presidentja ka përsëritur se orientimi i Kosovës mbetet i qartë, anëtarësimi në NATO.

“Objektivi strategjik i Kosovës është t’i bashkohet NATO-s. Kosova nuk do të shmanget nga rrugëtimi euroatlantik në asnjë rrethanë. Ky është zotimi që u kemi dhënë gjeneratave të reja”, ka thënë Osmani. “Do të ofrojmë modalitetet më të mira për të avancuar partneritetin tonë dhe qëllimin tonë për anëtarësim në NATO. NATO-ja dhe Kosova janë përherë të lidhura mes vete. Na duhet NATO-ja si garantuese e paqes dhe demokracisë”.

Gjatë konferencës, Stoltenberg e ka përmendur që pas trazirave të fundit në veri NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë. Ai ka thënë se kjo forcë është e gatshme për intervenim kurdo.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet, për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka folur edhe për deklarimet nga spektri politik në Kosovë dhe Ballkan, se bashkësia ndërkombëtare dhe NATO-ja po i mbyllin sytë karshi veprimeve të Serbisë, ndërkohë që Kosova ka ndihmuar në sanksionimin e Rusisë.

“Jo, nuk është kështu. I kemi shumë të qarta mesazhet tona në Beograd, dhe këtë e kam theksuar shumë qartë në takimin tim me z. Vuçiq këtë javë”, ka theksuar Stoltenberg në konferencën me Osmanin.

Ndërsa presidentja Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të ketë 48 baza përreth kufirit me Kosovën, që, sipas saj, quhen “qendra humanitare ruse”.

“Serbia vazhdon ta rrisë praninë e saj ushtarake, por edhe bashkëpunimin ekonomik me Rusinë dhe politikën e saj të jashtme e koordinon plotësisht me Rusinë. Në anën tjetër Kosova është në përputhje me çdo vendim të politikës së jashtme të BE-së dhe të NATO-s”, ka theksuar Osmani. “Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që përafrimi i Serbisë me komunitetin euroatlantik, përafrimi i Serbisë me Perëndimin është në interes të të gjithë neve. Serbia duhet të bëjë së paku disa detyra të shtëpisë para se ta marrë mbështetjen që aktualisht e ka nga Bashkimi Evropian, sepse fondet e BE-së duhet të shkojnë me vlerat e BE-së e kjo nuk po ndodh aktualisht”.

Presidentja Osmani ka udhëtuar të mërkurën për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s. Ajo do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, dhe do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

E, para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, Osmani ka pritur në takim pune komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Sipas Presidencës, Osmani e Jashari kanë ritheksuar se vizioni i përbashkët është që Kosova të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale.