Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Procesin e Berlinit që do të zhvillohet të hënën dhe të martën e javës së ardhshme, kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës. Njoftimi për të u dha menjëherë pas atij për ndryshimin e mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në CEFTA. Nga UNMIK-u në këtë mekanizëm Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarë të saj. Ndryshimi i përfaqësimit në CEFTA, që aktualisht kryesohet nga Serbia, është konsideruar edhe si njohje e shtetësisë së Kosovës
Gjashtëmbëdhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë, Kosova në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), do të përfaqësohet si shtet e jo nga misioni i Kombeve të Bashkuara - UNMIK. Vendimi është marrë të mërkurën, në Komitetin e Përbashkët të CEFTA-s, që këtë vit kryesohet nga Serbia.
Megjithëse Kosova do të vazhdojë të përfaqësohet me asterisk, nga përfaqësues institucionalë, një vendim i tillë është konsideruar arritje e rëndësishme.
“Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK-ut është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta, konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës për të rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm dhe nga sot në takimet e komiteteve të përbashkëta Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”, ka theksuar ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media.
Ministrja Hajdari ka thënë se votimet për çështjet e ngritura në mbledhjen e CEFTA-s kanë shkuar pa ndonjë pengesë.
Ndërsa këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, marrjen e vendimit gjatë presidencës së Serbisë në këtë mekanizëm, e ka vlerësuar si pranim të pavarësisë së Kosovës.
Edhe
Hajdari ia atribuon Qeverisë meritën për përfaqësimin e Kosovës në CEFTA pa UNMIK-un
“Ka pas shumë presidenca CEFTA por nuk është larguar, e që tregon se është momenti i fundit që të jetojmë në realitet në kuptimin që Serbia e pranon çdo herë e më shumë pavarësinë e Kosovës, shtetin e pavarur dhe e njeh realitetin. Mendoj që ky është një rezultat kolektiv i qeverisë dhe një ditë shumë e mirë me rëndësi për Procesin e Berlinit ku pas 5 dite atje do të arrijmë marrëveshje të re”, ka deklaruar ai.
Ndryshimi i përfaqësimit të Kosovës njëherësh shënon edhe zhbllokimin e CEFTA-s, pas ndërlidhjes së marrjes së vendimeve të tjera me të.
E një “bllokadë” e tillë, sipas qeveritarëve, ka ndikuar që të mos hasin në telashe gjatë vendimmarrjes, edhe pse mbledhja ishte e kryesuar nga Serbia.
“Moskalimi i vendimeve në CEFTA, vendime të rëndësishme për tregun e përbashkët rajonal, vendime shumë të rëndësishme për Procesin e Berlinit, por edhe tashme për Planin e Rritjes... ka shtuar presionin te Serbia që ajo të mos bëhet bllokuese e gjithë këtyre proceseve sepse ka qenë bllokuese duke mos e pranuar barazinë e Kosovës në këtë mekanizëm”, ka thënë më tej këshilltari i kryeministrit, Jeton Zulfaj.
Në lidhje me përfaqësimin me asterisk, Zulfaj tha se adresimi i kësaj çështjeje ka zënë vend në marrëveshjen e dakorduar me Serbinë vitin e shkuar e cila duhet të zbatohet.
“Përfaqësimi rajonal ende është me asterisk dhe kjo është që nga viti 2012. E siç e dini vitin e kaluar me marrëveshjen që e kemi, marrëveshjen bazike ajo e adreson pastaj në nivel horizontal çështjen e asteriskut. Marrëveshja e re që e kemi arritur me Serbinë për njohje de facto e largon asteriskun dhe zbatimi i saj pastaj do ta adresojë në mënyrë horizontale sepse nuk është vetëm në CEFTA”, ka thënë ai.
Edhe
Kosova s’përfaqësohet më me UNMIK në CEFTA, vazhdon edhe në Proces të Berlinit
Përfaqësimin e Kosovës si shtet në CEFTA e kanë vlerësuar pozitivisht partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Gjermania.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se me zhbllokimin e CEFTA-s është duke u afruar Ballkani Perëndimor me njëri-tjetrin.
“Në Procesin e Berlinit ne ishim në gjendje të punonim së bashku për ta zgjidhur nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA. Duke bërë këtë, ne hapim rrugën për përmirësime konkrete për banorët vendës. Dhe forcojmë Evropën tonë të përbashkët”, ka shkruar ajo.
Kurse, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se zhbllokimi i CEFTA-s e përfaqësimi i Kosovës nga zyrtarë të saj është lajm i mirë për tërë rajonin.
“Padyshim lajm i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tash, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet, siç do të duhej, dhe jo me UNMIK. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë trup rajonal”, ka shkruar Rohde.
Pas vendimit të CEFTA-s, nga Qeveria e Kosovës konfirmuan se kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në Procesin e Berlinit që nis të hënën, pjesëmarrja në të cilin ishte e rrezikuar nga mos heqja e masës së sigurisë ndaj produkteve serbe.
Edhe
Gjermania jep sinjale pozitive për CEFTA-n, Qeveria thërret konferencë
“CEFTA është zhbllokuar me Kosovën që është e përfaqësuar siç duhet, në vend të UNMIK-ut, që është sukses i madh. Kosova, sigurisht mbetet pjesë e Procesit të Berlinit dhe ne presim që përfaqësuesit kosovarë të jenë të pranishëm në samit dhe në të gjitha formatet”, ka thënë Christian Botcher, zyrtar për komunikim në Ambasadën e Gjermanisë për KOHËN.
Nga dhjetori i 2021-tës, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.