Si rrallëherë, deputetët ishin unikë të enjten. Ata miratuan Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Sipas tyre, me të janë adresuar shumë çështje, e po ashtu, sipas tyre, ai do të lehtësojë votimin nga diaspora. Por, ndryshe mendojnë nga shoqëria civile. Tetë organizata në një deklaratë të përbashkët kanë shprehur vërejtje të mëdha dhe se me këtë votim është cenuar integriteti zgjedhor. Nga Zyra e Bashkimit Evropian ndërkohë i kanë përgëzuar deputetët për votimin
Me konsensus të gjerë politik, të enjten deputetët e Kuvendit miratuan Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Ligji kaloi në të dy leximet brenda ditës, por në dy seanca të ndryshme.
Në lexim të dytë 79 deputetë votuan pro ligjit.
Para votimit në lexim të parë pati debat dhe të gjitha grupet parlamentare e përkrahën atë.
Kryetari i Komisionit ad hoc për reformën zgjedhore, Abelard Tahiri, e cilësoi si një ndër ligjet më të rëndësishme.
“Vota preferenciale, pra tash e tutje me këtë projektligj vota preferenciale nuk do të jetë më 5, siç ka qenë në 10 vjetët e fundit, por do të jetë 10, pra 110 kandidatë sa janë në listë të propozuar nga partitë politike, qytetarët do të kenë një mundësi ta bëjnë një përzgjedhje më të madhe, pra numri i tyre do të shkojë në 10”, ka thënë Tahiri.
Sipas deputetëve, në ligj janë inkorporuar rekomandimet e Bashkimit Evropian e të akterëve të tjerë.
“Ky ligj adreson shqetësimet që lidhen me listën e votuesve në Kosovë, përmirësimin dhe pastrimin e saj dhe krijimin e një liste të votuesve të saktë, pastaj lehtësinë e pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje”, është shprehur deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi.
Pro ligjit u deklaruan edhe deputetët e LDK-së e të AAK-së.
“Komisioni për reformë zgjedhor ka arritur të adresojë të gjitha rekomandimet e BE-së, OSBE-së, të gjitha organizatave ndërkombëtare, të cilat vite me radhë janë marrë me mbikëqyrjen e procesit zgjedhor”, ka thënë Hykmete Bajrami, deputete nga LDK-ja. “Do të anashkalohet një katrahurë e demokracisë së Kosovës, që ka pasur të bëjë me tjetërsimin e votës brenda partisë”, shtoi deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri.
Kurti: Me ligj lehtësohet votimi në diasporë
E kryeministri Albin Kurti u shpreh se me këtë ligj u është lehtësuar votimi qytetarëve në diasporë.
“Ligji i ri për zgjedhjet do t’i japë fund padrejtësisë së gjatë që u është bërë të gjithë mërgimtarëve shtetas të Kosovës. Lidhja e tyre e fuqishme me vendin e vet, kontributi i tyre i pamohueshëm në çdo kohë e në çdo rrethanë e bëjnë edhe më të domosdoshme nevojën që ata të jenë sa më shumë pjesë aktive e vendimmarrjes në atdheun e tyre”, ka thënë Kurti.
Pas fjalimit të tij reagoi deputeti i pavarur, Haki Abazi, që deri vonë ishte pjesë e partisë që udhëheq Kurti - Vetëvendosje.
“Prapë po e përdorim sistemin zgjedhor për t’i joshur njerëzit të vijnë të votojnë e të themi që kemi bërë diçka për ta, por kur vjen puna te përmbajtja ditën që përfundojnë zgjedhjet harrojmë kush janë diaspora”, deklaroi Abazi.
Pas votimit në lexim të parë deputetët kërkuan që me procedurë të përshpejtuar të kthehet në komision dhe me mocion të dalë para deputetëve për votim të leximit të dytë brenda ditës, por në një seancë tjetër që po ashtu u mbajt të enjten.
Të gjitha procedurat u kryen gjatë një dite.
Shoqëria civile e zhgënjyer
E para se deputetët të ngrinin dorën për ligjin, gjashtë organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që ai të mos kalojë. E pas kalimit të tij u bënë tetë organizata që reaguan, duke thënë se partitë politikë janë bërë bashkë për të cenuar integritetin e zgjedhjeve.
“Kuvendi i Kosovës miratoi sot projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme, në të dy leximet brenda së njëjtës seancë, e për më shumë dhe pa kosto financiare. Praktikat e miratimit të projektligjeve të rëndësishme në procedura të përshpejtuara janë në kundërshtim dhe të dëmshme për standardet e jetës parlamentare. Ky projektligj, nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore, që u proklamua si e tillë edhe në vetë emrin e Komisionit ad-hoc. Për më tepër, përmbajtja e këtij projektligji përveç pjesës ‘kozmetike’ , nuk adreson shumë prej mangësive përmbajtjesore të sistemit e në disa raste veçse i përkeqëson ato”, thuhet në reagimin e organizatave D4D, KCSF, GLPS, KDI, IKD, FOL dhe ÇOHU.
Sipas reagimit, projektligj reflekton më shumë një kompromis midis partive politike, të cilat kanë shtyrë përpara interesat e tyre në raport me integritetin e kandidatëve, votimin preferencial, votimin jashtë vendit dhe pavarësinë e KQZ-së.
“Këto çështje nuk janë adresuar as gjatë punës së Komisionit ad-hoc, por as në kuadër të angazhimit tonë para votimit të projektligjit në seancë. Për më shumë, as propozimet dhe amendamentet konkrete që kemi propozuar sot lidhur me çështjen e integritetit të kandidatëve dhe pavarësisë së KQZ-së nuk janë marrë parasysh nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion”, thuhet tutje në reagim.
BE-ja përgëzon deputetët për votimin e Ligjit
Por, krejt ndryshe kanë vlerësuar nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka përshëndetur votimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“BE-ja në Kosovë mirëpret miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme nga ana e Kuvendit. Në gusht të vitit 2022, Kuvendi kishte bërë tashmë një hap të madh në trajtimin e rekomandimeve të BE-së në fushën e financimit të fushatës përmes Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike. Që nga viti 2013, përmes vendosjes së misioneve me të drejta të plota për vëzhgimin e zgjedhjeve (EU/EOMs), BE-ja në Kosovë i ka monitoruar si zgjedhjet komunale edhe ato të përgjithshme dhe ka ofruar një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kornizës zgjedhore. BE-ja në Kosovë është e lumtur të shohë se shumica e këtyre rekomandimeve tanimë janë përfshirë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në komunikatën e Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Përmes kësaj komunikate i është bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Gjithashtu kemi parasysh se disa nga rekomandimet teknike duhet të zbatohen në vazhdimësi dhe theksojmë se vlerësimi i përgjithshëm do të mund të bëhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme. Përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor është një veçori e përhershme në çdo demokraci si dhe kërkesë e vazhdueshme për demokracitë në zhvillim. Kjo duhet të bazohet në gjetjet dhe rekomandimet nga zgjedhjet paraprake që synojnë që në të ardhmen të sigurojnë zgjedhjet më të lira, më të drejta dhe më transparente, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Projektligji për shëndetin riprodhues sërish nuk e merr mbështetjen e Kuvendit
Për herë të tretë ka dështuar në Kuvend votimi në parim i projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Ani se në Kuvend pati më shumë deputetë, në dy herët që është tentuar, ligji mori më pak se 60 vota dhe përsëri nuk ka arritur që ta marrë mbështetjen për miratim.
Ky projektligj ka nxitur debat qëkur është prezantuar për herë të parë para deputetëve. Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër, duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.
Projektligji parasheh që shërbimi IVF-së të aplikohet edhe në sektorin publik, pasi që deri më tash mundësohej vetëm nëpër klinika private në Kosovë dhe jashtë vendit.
Eman Rrahmani, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, pati thënë se e kundërshton idenë që e drejta e fertilizimit të asistuar mjekësor t’u jepet edhe grave të pamartuara. Kjo pati nxitur përplasje me bashkëpartiaken e tij, Saranda Bogujevci. Pas reagimit, Bogujevci është bërë epiqendër e fyerjeve në rrjete sociale.
Kuvendi i thotë “po” në parim zhbllokimit të mjeteve vetjake të komunave
Kuvendi ka miratuar të enjten në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për buxhetin, duke e mundësuar zhbllokimin e mjeteve vetjake të komunave nga vitet paraprake e që e kapin vlerën e mbi 35 milionë eurove.
Në mbështetje të ndryshimeve kanë votuan 81 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër dhe as abstenime.
Komunat në vazhdimësi kanë akuzuar Qeverinë për bllokimin e mjeteve, përderisa ekzekutivi arsyetohej me kufizimin që bëhej në Ligjin për buxhet, që mjetet mund të barten vetëm nga një vit paraprak dhe jo edhe nga më herët.
Krahas kësaj, Kuvendi të enjten miratoi edhe katër marrëveshje ndërkombëtare. Me 85 vota për ka kaluar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2022. Deputetët e Kuvendit ua dhanë dritën e gjelbër edhe marrëveshjes me Slloveninë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, mbi ekstradimin dhe për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale. Deputetë nga pushteti dhe ata nga opozita e miratuan edhe Projektligjin për aderimin në marrëveshjen për statusin dhe funksionet e Komisionit ndërkombëtar për personat e zhdukur, sikurse edhe Deklaratën për antisemitizmin.