LAJMET E MBRËMJES

Ministrja Rizvanolli intervistohet në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është intervistuar për rreth katër orë të martën nga Prokuroria Speciale. Pas intervistimit, Rizvanolli nuk është deklaruar për media e avokati i saj, si dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se ajo është ftuar në cilësinë e dëshmitares në kuadër të një hetimi në zhvillim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është intervistuar të martën nga Prokuroria Speciale prej orës 9:00 të mëngjesit deri në orën 13:00.

Pas intervistimit, Rizvanolli nuk është deklaruar për media, por avokati i saj, Artan Qerkini, bëri të ditur se ministrja ka dalë para Prokurorisë si dëshmitare. 

E për arsyen e intervistimit, ai ka thënë se nuk mund të japë hollësi pasi shpalosja e detajeve të hetimit do të përbënte shkelje të ligjit. 

“Ministrja Rizvanolli është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares. Prokurori e ka lexuar një paralajmërim për shkaqe të hetimeve. Detajet e hetimeve nuk duhet të bëhen publike, ngase çdo publikim paraqet vepër penale. Më shumë se kaq, nuk mund të themi më shumë”, ka thënë Qerkini.

Në Prokurorinë Speciale kanë bërë të ditur se intervistimi i ministres është pjesë e një çështjeje penale, pa zbuluar për cilin rast bëhet fjalë. 

“Prokuroria Speciale informon se sot ministrja Artane Rizvanolli është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria Speciale i ka në përbërje Departamentin e Korrupsionit e Krimit Financiar, atë për Krim të Organizuar, për Terrorizëm dhe për Krime Lufte. Ministria e Ekonomisë, e drejtuar nga Rizvanolli, i ka nën mbikëqyrje ndërmarrjet publike.  

Deri më tash hetime janë zhvilluar rreth shitblerjes së rrymës në KEK. Një prej hetimeve rezultoi me aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, që muajin e shkuar u deklarua i pafajshëm për akuzat se e dëmtoi buxhetin duke tregtuar me një ndërmarrje nga Sllovenia, të palicencuar në ZRRE, në gusht të 2024-s. 

E në mars, në cilësinë e të dyshuarit, u intervistua edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Për të Prokuroria Speciale njoftoi se dyshohet për veprat penale “Shpëlarje e parave”,

“Shmangie nga tatimi” dhe “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. 

Shefi i Financave të Telekomit, Feim Kelmendi, së fundi njoftoi në Facebook se Prokuroria Speciale po heton mbi kontratat njëburimore. Në Qeveri dhe në Lëvizjen Vetëvendosje e akuzuan Prokurorinë Speciale se po ua mban anën partive opozitare, duke ndërmarrë hetime ndaj zyrtarëve të tyre. 

E në Këshillin Prokurorial kanë kërkuar që të ruhet dhe të mos cenohet autonomia e sistemit prokurorial.