LAJMET E MBRËMJES

MASHTI dështon ta parandalojë kopjimin masiv në Testin e Arritshmërisë

Nuk ka dhënë rezultat mësymja e Ministrisë së Arsimit për të parandaluar kopjimin në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë. Pyetjet janë shpërndarë në shumë grupe lehtësisht të qasshme, të krijuara në rrjete sociale. Nxënësit që refuzuan ta tregojnë identitetin, pranuan se ka pasur mundësi kopjimi. E, ata që përgjigjet i dhanë duke u bazuar në njohuritë e fituara në shkollë, u ankuan për gabime në pyetjet e testit

Nxënës të klasave të nënta i janë nënshtruar të martën pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë dhe kanë pasur mundësi kopjimi, nëpërmjet përfshirjes në grupe të formuara në rrjete sociale, ku kanë qarkulluar përgjigjet e pyetjeve të testit.

Ka ndodhur kjo, ani se Ministria e Arsimit kishte krijuar një grup punues, në të cilin kishte përfshirë edhe zyrtarë nga krimet kibernetike, me qëllimin për ta parandaluar kopjimin.

Grupi “Testi i Arritshmërisë IX-04.06.2022” në Facebook ka numëruar mbi 3 mijë e 700 anëtarë, ndërkaq tjetri në viber “Testi i semit 2022” mbi 3 mijë.

Mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta, në 176 qendra të testimit, u janë nënshtruar pyetjeve në lëndë shkencore si: matematikë, fizikë, biologji, kimi dhe informatikë.

Në shkolla ku është zhvilluar Testi i Arritshmërisë nuk është mbajtur mësimi i rregullt.

E për mbarëvajtjen e procesit Ministria ka angazhuar rreth 1600 administrues.

Në shkollën e mesme të lartë “Gjin Gazulli” në Prishtinë, ku nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Gjergj Fishta” iu nënshtruan testit, kanë thënë se nuk e patën mundësinë të kopjonin, pasi mbikëqyrja ka qenë e rreptë.

Blin Gashi, nxënës i shkollës “Gjergj Fishta”, ka thënë se nuk u është lejuar as të flasin mes vete gjatë testit.

“Administratorët që kanë qenë aty kanë qenë shumë strikt Edhe ata janë detyruar që ne të mos kopjojmë, por të japim përgjigje nga ajo çka dimë. Ka qenë gjithçka mirë”, ka thënë ai.

Orges Hamidi, nxënës tjetër në shkollën “Gjergj Fishta”, ka thënë se komisionerët kanë qenë gjatë gjithë kohës në lëvizje.

“Kanë qenë shumë strikt. Nuk kanë lejuar të kopjohet asgjë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq nxënës të tjerë kanë treguar në kushte anonimiteti se kanë pasur mundësi të përfshihen në grupet e rrjeteve sociale, në të cilat janë shpërndarë pyetjet.

Përveç monitorimit jocilësor, nxënësit u ankuan se pati gabime në pyetjet e testit të dytë. Blin Gashi ka thënë se ka pasur përsëritje të pyetjeve.

“Ka pasur gabime gjatë testit, kemi vërejtur që pyetjet kanë qenë të përsëritura, ka qenë faqja 24 e zbrazur, kemi vazhduar në faqet e tjera. Kur kemi hasur në ato probleme e kemi kontaktuar DKA-në dhe i kanë sjellë testet e tjera”.

Agon Ahmeti, drejtor në “ETEA”, organizatë që merret me arsimin parauniversitar, ka thënë se mungon vetëdijesimi i shoqërisë për pasojat që i sjell kopjimi. Ai ka theksuar se identifikimi i kopjimeve është i lehtë, por ka mungesë të gatishmërisë institucionale për ta bërë këtë.

“Meqenëse në këto grupe janë dërguar fotografi, janë treguar se në cilat shkolla dhe cilat klasa janë, ose vetë përmes emrave, nëse ka një gatishmëri nga institucionet për t’i identifikuar nxënësit, që në këtë rast gjithmonë janë të pafajshëm, por që përmes tyre të identifikohen përgjegjësit, si administratorët”, ka thënë ai.

E nxënës që përgjigjet i dhanë duke u bazuar në njohuritë e fituara u ankuan për gabime në pyetjet e testit.

“Ka pasur gabime gjatë testit. Kemi vërejtur që pyetjet kanë qenë të përsëritura. Ka qenë faqja 24 e zbrazur, kemi vazhduar në faqet e tjera. Kur kemi hasur në ato probleme e kemi kontaktuar DKA-në dhe i kanë sjellë testet e tjera”, ka thënë Blin Gashi, nxënës në shkollën fillore “Gjergj Fishta”.

Nxënësit e klasave të nënta më 4 qershor iu nënshtruan pjesës së parë të testit, që përmbante pyetje nga lëndë shoqërore. Njëjtë, edhe në pjesën e parë ka pasur kopjime. Ministria e Arsimit pati ndërmarrë masa ndaj 6 administruesve, ndërsa mbi 20 nxënës që janë zënë duke përdorur telefonin nuk u është lejuar ta përsërisin pjesën e parë të testimit, e për pasojë atyre do t’iu llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të testit.

Kopjime e parregullsi në testime kombëtare janë evidentuar çdo vit.

Edhe në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) janë evidentuar mospërputhje ndërmjet vlerësimit të performacës së nxënësve gjatë procesit mësimor dhe vlerësimit në testet kombëtare.

“Për shembull, pesë nxënës me notë mesatare 5 kanë shënuar vetëm 20 deri në 40 pikë në TA (Testin e Arritshmërisë v.j.). Edhe e kundërta është gjithashtu e vërtetë. P.sh. një nxënës kishte notën mesatare nën 2, por, megjithatë, arriti të shënonte mbi 70 pikë në TA. Nëse lidhja mes notave mesatare dhe rezultateve të testit do të ishte më e fortë, pikat do të ishin më afër vijave të tyre përkatëse”, theksohet në raportin e performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, të publikuar nga ZKA-ja.