Kthim prapa në kohë të UNMIK-ut e ka vlerësuar Vetëvendosje propozimin e LDK-së për të dalë nga ngërçi politik me krijimin e një qeverie të tranzicionit. Partitë e tjera parlamentare nuk e kanë refuzuar mundësinë e konsultimeve, por e kanë kundërshtuar një qeveri bashkë me LVV-në. E disa deputetë opozitarë e kanë quajtur frikacake LDK-në
Skenar ogurzi që e kthen Kosovën në kohë të UNMIK-ut u vlerësua nga Vetëvendosje propozimi i LDK-së që partitë politike shqiptare të bëjnë një qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjen e presidentit.
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, tek ka folur për refuzimin për koalicion që iu bë partisë së tij nga LDK-ja, ka thënë se ky subjekt politik e ka të pamundur të marrë vetë vendime.
“Në raste kur ka luftë civile, kur vendi del nga lufta dhe kur nuk ka institucione dhe në raste të tilla, kur ka kriza të papara ose jo të rregullta, kur vendi mbetet pa Qeveri, atëherë propozohen zgjidhje të tilla. Realisht, propozimi për qeveri tranzicionale është që të kthehemi në kohën e UNMIK-ut, nuk jemi aty”, ka thënë Murati.
Murati po ashtu ka arsyetuar këmbënguljen e LVV-së për koalicion vetëm me LDK-në nga partitë shqiptare.
“Ne bazohemi në vullnetin e elektoratit tonë, të cilët përkundër të gjitha problemeve që kemi, janë të gatshëm, do të ishin të gatshëm, që të pranojnë një bashkëpunim të tillë për të dalë nga kjo situatë në të cilën jemi”, ka thënë ai.
Jo shumë pozitive ishin edhe përgjigjet e partive të tjera shqiptare ndaj propozimit të LDK-së.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, pas seancës të së mërkurës, ka thënë se përgjigje propozimit do t’i jepet tek pas takimit me kryesinë.
“Do ta diskutojë me kolegët e mi këtë propozim”, ka thënë ai.
E pas mbledhjes, PDK-ja përmes një komunikate ka thënë se nuk i refuzon takimet, porse i takon presidentes t’i mbledhë të gjitha partitë.
“Në këtë frymë, konsiderojmë se presidentja e Republikës, si institucion mbipartiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu është ritheksuar qëndrimi i kësaj partie për qeveri të opozitës.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, thuhet tutje në komunikatë.
E nga AAK-ja kanë thënë se janë të hapur të bashkëpunojnë me partitë shqiptare, me përjashtim të Vetëvendosjes.
“Unë angazhohem për qeveri të opozitës dhe vazhdoj të mbes në këtë qëndrim për qeveri të opozitës. Ndërsa, jam i hapur për konsulta, në këtë rast me Lidhjen Demokratike me PDK-në, me partitë parlamentare të opozitës”.
Ai po ashtu ka thënë se është më mirë të shkohet nën zgjedhje të reja sesa të zvarritet procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Të mërkurën, konstituimi i Kuvendit ka dështuar edhe në përpjekjen e 12-të.
“Më mirë të shkojmë në zgjedhje. Nuk është mirë me vonu pa kufi Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është shprehur se nuk mund të japë qëndrim politik pa marrë informacione të detajuara se çka nënkupton qeveria e tranzicionit e propozuar nga LDK-ja.
“Nëse kemi ftesë do t’i përgjigjemi, të shkojmë ta dëgjojmë”.
Po ashtu ai ka thënë se Kosova ka nevojë për qeveri të shumicës.
“Ne preferojmë qeveri të shumicës. Kosova ka nevojë për qeveri të shumicës. Po mund të ndodhë, sepse ka potencial për të krijuar shumica”, ka thënë ai.
Ndërkohë në LDK kanë thënë se nëse partitë e refuzojnë ofertën, le t’i nxjerrin propozimet e tyre për të dalë nga ngërçi.
“Kjo është forma jonë, është propozimi ynë për ta zhbllokuar situatën, nëse të tjerët nuk duan le të urdhërojnë, le ta zhbllokojnë, le të dalin me propozimet e tyre, le ta bëjnë një shumicë dhe le ta zhbllokojnë situatën”, ka deklaruar deputetja Hykmete Bajrami.
E për disa deputetë, deri tash opozitarë, LDK-ja po i frikësohet koalicionit me LVV-në.
“LDK-ja gjithmonë duke u frikësuar të marrë vendime e ka lënë Kosovën bukur shumë prapa. As nuk shtyhet, as nuk ngrehet thotë populli. Shumë thjesht, nuk po guxojnë as të bëhen me Albin Kurtin e as me neve”, ka thënë deputetja nga PDK-ja, Ganimete Musliu.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
“Albin Kurti dhe z. Abdixhiku janë dy anët e së njëjtës medalje. Ky po na fton neve, unë s’po guxoj me shku vetëm, me e nda fajin për Asociacionin me kryeministrin Kurti në një qeveri të përbashkët e po thotë hajde tash të bëhemi bashkë të gjithë, edhe të marrim përgjegjësinë tanë nga pak. Unë s’jam i interesuar të marr faj”, ka thënë ai.
Por në LDK insistojnë se nuk kanë të bëjnë me frikën, por me qasjen.
“Nuk e di çfarë mendojnë të tjerët për definicionin e frikës. Nëse do të ishim të interesuar për pushtet, do të hynim në koalicion me VV-në. Nuk është frikë, është premtim që ua kemi dhënë qytetarëve. VV-ja e ka krijuar këtë hendek, që për momentin është i pakalueshëm”, ka thënë deputetja Hykmete Bajrami.
Propozimi i LDK-së për Qeveri unifikuese është bërë pas refuzimit që kjo parti ia ka bërë LVV-së për bashkëqeverisje.