Lista Serbe është pjesë e Qeverisë, por ka deklaruar hapur synimin për ta rrëzuar Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Sipas këtij subjekti politik, që mban lidhje të forta me Beogradin, Kurti është duke punuar kundër interesave të serbëve të Kosovës. Nëpërmjet një reagimi, Lista Serbe ka pranuar se të dielën në barrikada ishte edhe nënkryetari i saj, Milan Radojçiq, i cili duke qenë në arrati, ditë më parë ka kërcënuar institucionet nëpërmjet një videoje të xhiruar në veri. Gjatë ditës institucionet kanë zhvilluar komunikime me ndërkombëtarët, pas situatës së krijuar, e për të cilën drejtori i AKI-së ka thënë në Kuvend, se është stabile
Politikani serb prej më të fuqishmëve në Kosovë, i cili ndodhet në arrati dhe ka kërcënuar nga mali institucionet shtetërore, të dielën ka qenë në barrikada. Lista Serbe ka konfirmuar të mërkurën se nënkryetari i saj, Milan Radojçiq, ishte në pengesat e vëna rrugëve.
Krahas këtij konfirmimi, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, që mban lidhje të forta me Beogradin zyrtar, ka treguar edhe synimin për ta rrëzuar kryeministrin Albin Kurti, zbatimin e dy vendime të qeverisë së të cilit serbët i kundërshtuan edhe me plumba në fundjavë.
Qëndrimet janë shprehur, në një reagim ndaj deklarimeve të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“E vetmja e vërtetë, që ministri i frikësuar Sveçla ka thënë në deklaratën e tij është se Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është që ta rrëzojmë Albin Kurtit nga pushteti, që është edhe interes i të gjithëve, që duan të jetojnë në paqe në këto territore”, thuhet në një reagim të shkruar të Listës Serbe.
Në këtë reagim është theksuar se deklaratat e fundit të ministrit Sveçla ilustrojnë më së miri qëndrimin antiserb të Qeverisë Kurti.
“Në deklaratën që dha, ministri Sveçla tha një mori gënjeshtrash për nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq dhe për Listën Serbe në përgjithësi”, thuhet në reagim. “Gjëja më e rëndësishme që Sveçla nuk guxon ta pranojë është se ai është i vetëdijshëm se sa autoritet ka z. Radojçiq në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur iu bashkua atyre në protesta dhe që ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe gjatë gjithë kohës, për kënaqësinë e përgjithshme të gjithë të pranishmëve, të cilët atëherë u ndien të sigurt, sepse ai gjithmonë kur ishte me ta, kujdesej për sigurinë e çdo personi dhe çdo familje në veri”.
Sveçla në një intervistë për televizionin publik, ka thënë një ditë më parë se Radojçiq nuk është në veri dhe se ai ishte futur në Kosovë, ka bërë një video-incizim kërcënues dhe kur është kthyer në Serbi e ka publikuar incizimin.
“Prej një krimineli që ka pas rrugët dhe dyert e hapura në Prishtinë, e të mos themi edhe në veri, tashmë është një ikanak që kërkohet nga institucionet e Republikës së Kosovës. Absolutisht që i frikësohet (institucioneve të Kosovës v.j.)”, ka thënë ministri Sveçla. “Qëllimi i videos nuk ka qenë që t’i sfidojë institucionet e Kosovës, por për të kërcënuar banorë tanë lokalë atje, për t’i bërë të dëgjueshëm ndaj tij dhe grupeve të tij”.
Nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiq, është një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, për çka ndaj tij institucionet kosovare kanë lëshuar një urdhërarrest. Së fundmi, ai është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përderisa Lista Serbe ka konfirmuar prezencën e Radojiçiqit në barrikada, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Serbinë se strukturat e saj ilegale, që i mban në Kosovë i ka shndërruar në banda, që bllokojnë veriun dhe sulmojnë me armë policinë dhe civilët. Sipas tij, sulmet janë organizuar dhe kryer nga grupe kriminale të paguara nga Beogradi.
“Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallëherë më parë”, ka thënë një ditë më parë kryeministri Kurti. “Nuk është e lehtë për shtetin tonë, pasi ato i mbështet i tërë aparati i fqinjit tanë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria”.
Megjithëkëtë, kryeministri Kurti e mban për ministër Goran Rakiqin, kryetar i Listës Serbe.
E, për zhvillimet e së dielës në veri, përfaqësues institucionalë kanë vazhduar diskutimet me diplomatë ndërkombëtarë. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është takuar me kryeministrin Kurti në ndërtesën e Qeverisë.
Kjo temë është diskutuar edhe në takimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nichlas Abbott.
“Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ambasadori Abbott biseduan mbi zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe për vendimin e Qeverisë për shtyrjen më datë 1 shtator 2022, të dy vendimeve mbi regjistrimin e targave në RKS dhe dokumenteve hyrje-dalje, të datës 29 qershor 2022, në koordinim me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë”, thuhet në njoftim të Zyrës për Media të Kryeministrit. “Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin Abbott për angazhimin e tij, bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, me të cilin ka biseduar për këtë situatë.
“Presidentja Osmani ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa, të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit”, thuhet në një njoftim të Presidencës për takimin. “Poashtu, Presidentja Osmani ka potencuar se është më rëndësi t’i dërgohen mesazhe të qarta Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e saj të dhunshme nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovës”.
Për ngjarjet në veri, në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti. Pas takimit, kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu ka thënë se gjendja në këtë pjesë të vendit është stabile.
“Ajo që mund të konstatojmë tani është se gjendja e sigurisë është stabile. Organet e sigurisë dhe organet kompetente janë të gjitha në gjendje gatishmërie dhe janë në krye të detyrës, që siguria e Republikës së Kosovës të mos cenohet në asnjë formë dhe asnjë mënyrë”, ka thënë Musliu, e cila ka ftuar qytetarët serbë të bashkëpunojnë me organet e sigurisë dhe të mos bien pre e provokimeve nga zyrtarët e Beogradit.
Qeveria ka marrë vendim për mosnjohjen e dokumenteve identifikuese të shtetasve të Serbisë me të hyrë në Kosovë, ngjashëm siç veprojnë autoritetet serbe me kosovarët. Por, me t’u afruar koha e hyrjes në fuqi të vendimit, serbët në veri të Kosovës, përmes bllokimit të rrugëve, që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, shprehën kundërshtimin e tyre.
Largimi i barrikadave të vendosura në rrugët e veriut të vendit, ka qenë kushti i vendosur nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që ta pezullojë për një muaj hyrjen në fuqi të dy vendimeve të marra në qershor.
Derisa vendimi për dokumentet identifikuese filloi së zbatuari në pikat e tjera kufitare, ato në Jarinjë e Bërnjak, për shkak të bllokadave nuk ishin të lira për qarkullim. Me t’iu bindur kushtit të vendosur për heqjen e barrikadave, ekzekutivi pezulloi hyrjen në fuqi të dy vendimeve, derisa Bashkimi Evropian iu bëri ftesë krerëve të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, që të takohen në Bruksel e të diskutojnë për të gjitha çështjet e hapura.