LAJMET E MBRËMJES

Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë deklarohen të pafajshëm për rastin “53-milionëshi”

I shkurtër ka qenë në përgjigje ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kur është pyetur të mërkurën në gjykatë nëse ndihet ose jo fajtor për akuzat në rastin e ndërtimit të autostradës “Arbër Xhaferi”, i njohur si “53-milionëshi”.

“I pafajshëm”, deklaroi Lekaj.

Fajësinë nuk e kanë pranuar as të akuzuarit e tjerë, ish-sekretari Nebih Shatri, ish-drejtori i Prokurimit, Besim Tahiri, e ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha.

“I pafajshëm”, pohoi Shatri.

“Plotësisht i pafajshëm”, shtoi Tahiri.

Por i akuzuari Eset Berisha ka thënë se nuk e ka krejt të qartë aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Ka kërkuar saktësim për një nga çështjet e përmendura aty.

“Deri diku, për shkak se nuk e dëgjova prokurorin duke përmendur ndonjë dispozitë të rregullores për fushat administrative, kisha dashur ta dija se me cilën dispozitë unë kam rënë ndesh, përndryshe unë e ndiej veten plotësisht të pafajshëm”, ka thënë Eset Berisha, ish-këshilltar i Lekajt.

Para deklarimit të tyre prokurori Valdet Gashi e ka lexuar aktakuzën.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes me OE ‘Bechtel & Enka’ si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik që të marrë pjesë në negociata me ‘Bechtel & Enkan’, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017, detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik”, tha në fjalën e tij prokurori Gashi.

Të akuzuarit nuk kishin disponim ta dëgjonin prokurorin. Gjyqtarja u detyrua t’ua tërhiqte vërejtjen.

Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konsorciumun “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, është një nga aferat më të diskutuara në Kosovë.

Më shumë se dy vjet me parë KOHA pati siguruar një raport të kompanisë “Hill”, e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas dokumentit, detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro. Por, Lekajn nuk e kishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri e në mungesë të tij Ekzekutivi e kishte aprovuar pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë që e ka ndërtuar autostradën.