LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Pajtimi me Serbinë pas kërkimfaljes e pranimit të krimit

“Gjithçka do të kishte rrjedhë tjetër, sikur kreu politik dhe ushtaraku policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që i dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkimfalja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në Konferencën e Lidershipit të Ballkanit, të shtunën në Prishtinë

Pajtim me Serbinë mund të ketë vetëm pasi të pranohen krimet e kryera dhe të kërkohet falje për to, ka thënë të shtunën kryeministri Albin Kurti.

Në konferencën e Lidershipit të Ballkanit, me temë “Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale për Paqe, kreu i ekzekutivit ka paralajmëruar se do të ngulmohet në vendosjen e drejtësisë.

“Gjithçka do të kishte rrjedhë tjetër, sikur kreu politik dhe ushtaraku policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë, ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që i dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkimfalja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, paqen aktuale, të cilën e ka quajtur të brishtë, e rrezikojnë tendencat e shumta, në kuadër të veprimeve revanshiste.

“Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizimit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit e integrimit si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale, e gjithë kjo për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese”, ka deklaruar ai.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq. Ai ka thënë se shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur, nuk e dinë historinë, e ajo duhet shpjeguar.

“Ata të cilët nuk e kanë njohur Kosovën, janë ato shtete të cilat janë të largëta që nuk e dinë as çka është Serbia, Kroacia, Kosova, ata duan Jugosllavinë, kujtojnë Titon, janë vende të largëta dhe prandaj këto politika të fuqishme imponojnë orientimin që dëmton të realizohet ajo që është reale. Kosova është realitet dhe Kosova duhet të njihet”, ka thënë ai.

Ish-presidenti i Kroacisë ka shtuar se çështja e Evropës varet nga aftësia e Bashkimit Evropian për të imponuar paqe.

“Për të imponuar paqen së bashku me OKB-në. Nga kjo varet edhe stabiliteti në rajonin tonë, të cilin disa analistë e shohin si një zonë apo hapësirë ku mund të hapen konfliktet nga Ukraina. Unë nuk besoj në një zhvillim të tillë të ngjarjeve, por ekziston një rrezik i caktuar marrë parasysh idetë gjeopolitike të liderëve të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë për të ardhmen e Bosnjës”, ka cekur Mesiqi.

Ruajtja e Paqes e Stabilitetit, sipas ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, bëhet duke e anëtarësuar Kosovën në NATO e Këshill të Evropës.

“Përveç se të udhës e shoh edhe të domosdoshëm që Kosovës duhet t`i hapen dyert në NATO dhe Këshillin e Evropës dhe çdo organizatë në këtë mënyrë do të ndihmojë edhe në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan”, ka thënë ai.

Kurse ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, bëri fajtorë Serbinë e Rusinë, për pengimin e rrugës ndërkombëtare të Kosovës.

“Për fat të keq lidhja midis rusëve dhe serbëve për Kosovën vazhdon. Rusët bëjnë përpjekje diplomatike në shkallën ndërkombëtare për të penguar anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, ka thënë ai.