LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Marrëveshja bazë, avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se njohja reciproke e të drejtat e komuniteteve në qendër të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ai është shprehur shpresëdhënës për takimin e radhës në Ohër, dhe ka thënë se Kosova është e përkushtuar të jetë palë konstruktive në dialog. Në prag të takimit të 18 marsit në Maqedoninë e Veriut, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se Serbia s’mund të negociojë për njohje. E Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde u ka bërë thirrje dy vendeve që mos ta humbin këtë shans.

Një javë para takimit të dialogut të Brukselit në Ohër, kryeministri Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e njohjes reciproke dhe avancimit të të drejtave të pakicave, si pjesë që duhet ta përbëjë thelbin e planit të zbatimit të propozimit franko-gjerman.

Në një video mesazh të shpërndarë nga Qeveria, kryeministri ka thënë se shpreson që refuzimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të nënshkruante në Bruksel nuk është indikacion se ai nuk pajtohet me përmbajtjen e marrëveshjes.

“Shpresoj që refuzimi i Serbisë për të nënshkruar propozimin në Bruksel nuk është indikacion se ajo nuk pajtohet me përmbajtjen. Çdo ditë ne demonstrojmë kreativitetin e konstruktivitetin tonë. Ne besojmë se Marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve. Besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon një njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes, si dhe respektim për të drejtat e minoriteteve në të dy shtetet. Siguria dhe paqja në rajon e Evropë është mëse e nevojshme. Ne jemi të gatshëm të bëjmë përparim edhe përkundër sfidave të mëdha”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se vizioni i Kosovës është të anëtarësohet në Bashkim Evropian.

Për takimin Kurti-Vuçiq në Ohër ka komentuar edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë ai tha se 18 marsi s’do të jetë ditë kritike për Serbinë, derisa ka thënë se s’do të ketë diskutimin për njohjen e Serbisë nga Kosova.

“Nuk ka Ditë D, por ka shumë ditë të vështira dhe shumë bisedime komplekse, negociata, diplomaci, mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare… Serbia nuk i është shmangur asnjëherë bisedimeve. Natyrisht shtrohet pyetja e të gjitha pyetjeve – që do të thotë se ku është AKS-ja dhe çfarë po ndodh me këtë, e më pas mund të vazhdojmë të diskutojmë për tema tjera me përjashtim të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe çështjes së hyrjes së Kosovës në OKB”, ka thënë Vuçeviq.

E optimizëm për propozimin franko-gjerman kanë shprehur në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme me udhërrëfyesin e zbatimit të këtij propozimi.

“E tash ku duhet të kemi kujdes, anglezët e përdorin një fjalë, ku thonë se ‘dreqi flenë në detaje’. Pra detajet janë shumë të rëndësishme. Është tepër e rëndësishme që në planin e veprimit, udhërrëfyesin që do të jetë në marrëveshje mos të marrim obligime të cilat e prekin substancën e shtetit. Çka dimë prej qëndrimeve evropiane është se integriteti territorial, sovraniteti i vendit, rregulli kushtetues dhe qeverisës nuk do të preket. Pra, nuk do të ketë nivel të tretë qeverisës”, ka thënë Tahiri.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka ofruar mbështetje të plotë emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi në përpjekjet e tij për arritjen e një marrëveshjeje.

Rohde shkroi në Twitter se “një marrëveshje është e arritshme” dhe se “Kosova do të fitojë shumë”

Ai u ka bërë thirrje dy vendeve që të mos e humbin këtë shans.

“Kosova duhet ta zbatojë detyrimin e saj të kahershëm dhe ta sjellë Asociacionin tani”, ka shkruar Rohde.

Pas takimit të fundit në Bruksel, përfaqësuesit e Bashkimit Evropianë më 21 nëntor thanë se ka dakordim në parim mes Kosovës e Serbisë lidhur me propozimin evropian.

Takimi i radhës për udhërrëfyesin e zbatimit të planit është caktuar për datën 18 mars në Ohër.