“Vonimi i rezultateve, që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtar mund të numëroheshin edhe sot, bie nën përgjegjësinë e partive opozitare që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresim te Kushtetuesja. Por, qytetarët neve na kanë besuar me votë të ndryshimit, andaj ne këtë ndryshim edhe do ta sjellim”, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Strategjia kundër korrupsionit pritet të përfundojë në fund të këtij viti
Rrugë drejt çlirimit të shoqërisë nga korrupsioni e kualifikoi kryeministri Albin Kurti, Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit, në takimin e parë të mbajtur të martën për nisjen e hartimit të saj.
Ai theksoi se rezultatet konkrete të të dy vjetëve të qeverisjes së tij e dëshmuan përkushtimin e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Por Kurti shprehu vërejtjen se pengesë në reformat e synuara përbën opozita.
“Vonimi i rezultateve që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtar mund të numëroheshin edhe sot, bie nën përgjegjësinë e partive opozitare që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresim te Kushtetuesja. Por, qytetarët ne na ka besuar me votë të ndryshimit, andaj ne këtë ndryshim edhe do ta sjellim”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se është detyrë e Qeverisë të garantojë që institucionet të jenë të pavarura nga politika.
“Jemi të obliguar të krijojmë ambient ku zyrtarët publikë veprojnë në bazë të standardeve më të larta të etikës, ku shpërdorimi i detyrës zyrtare ndëshkohet në mënyrë të drejtë dhe efikase, bazuar në ligj dhe jo në teke personale, e ku sistemi gjyqësor e prokurorial zhveshët nga çdo lloj i ndikimit politik dhe vepron vetëm në bazë të ndërgjegjes personale e përgatitjes profesionale të gjyqtarit e prokurorit, mbi bazën e të cilëve edhe gjykohet nga publiku”, ka deklaruar ai.
Komisioni ndërministror, që do të jetë përgjegjës për hartimin e kësaj Strategjie, do të përbëhet nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ministri Murati, i cili do të jetë drejtues i Komisionit, theksoi se nëpërmjet Strategjisë synohet që të vendoset një strukturë e fortë kundër korrupsionit, që nuk do të lërë hapësirë për mosndëshkim.
“Këtë do ta arrijmë duke vazhduar përpjekjet tona për të punuar drejt avancimit të kuadrit ligjor dhe institucional, promovimit të praktikave të mira të qeverisjes dhe me theks të veçantë në transparencën e punës së institucioneve publike, forcimin e integritetit dhe besueshmërisë, ngritjen e nivelit të efikasitetit për detektimin e akteve kriminale lidhur me korrupsionin, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile”, ka thënë Murati.
Lidhur me nismën për hartimin e Strategjisë, të martën ka folur edhe drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj. Ai u shpreh se ajo pritet të hartohet deri në dhjetor të këtij viti.
Buleshkaj ka njoftuar se orientimi i kësaj Strategjie do të ndërlidhet me sundimin e ligjit, me masat për parandalimin e korrupsionit, e me parandalimin e korrupsionit në prokurim publik.
“Nga vendimi i Qeverisë pritet që deri në dhjetor të hartohet ky dokument. Ashtu siç e kemi parë ne, tentohet të jetë një grup gjithëpërfshirës që do të kontribuojë në hartimin e këtij dokumenti, Agjencia është pjesë e këtij grupi punues. Ne do të jemi në rolin e këshilltarit teknik, sepse në të kaluarën Agjencia ka pasur një rol aktiv në hartimin e dokumentit. Në të kaluarën bashkë me Qeverinë jemi marrë me hartimin e strategjisë. Kemi dëgjuar sot për orientimet apo shtyllat që Qeveria mendon se do të përbëjnë këtë Strategji. Ndërlidhen me sundimin e ligjit, me një administratë publike me etikë, me zhvillimin e masave për parandalim të korrupsionit e po ashtu edhe me parandalimin e korrupsionit në prokurim publik”, ka thënë ai të martën në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Buleshkajt, vitet e fundit është vërejtur përparim i dukshëm në zvogëlimin e potencialit për korrupsion.
“Nga ajo që kemi vërejtur si Agjenci është një përparim i dukshëm qoftë në transparencën e Qeverisë, po ashtu edhe në zvogëlimin e potencialit për korrupsion. Nga fushëveprimtaria që ne e vëzhgojmë dhe kemi mandat është kryesisht tek aspektet e transparencës dhe deklarimit të pasurisë, qofshin ato edhe te konflikti i interesit, po ashtu kemi përparim edhe në përdorimin e mekanizmit të sinjalizimit qoftë të brendshëm e të jashtëm për të ruajtur integritetin e institucioneve. Para 2-3 vjetëve (v.j. korrupsioni) ka qenë një prej brengave kryesore të publikut, tani është te brenga 10 apo 11, nuk e ka më brengë kryesore, por ne si Agjenci vazhdojmë të punojmë në mënyrë që ky trend pozitiv të vazhdohet”, ka thënë ai.
Lidhur me deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë, Buleshkaj ka thënë se janë në finalizim të masës, që është shqiptimi i gjobës për ata që e vonojnë deklarimin.
“Jemi duke i kryer të gjitha punës administrative për të na mundësuar t’i shqiptojmë gjobat, sepse janë disa punë teknike që jemi në përfundim të tyre dhe besoj që shumë shpejt do t’i shqiptojmë gjobat për zyrtarët që e kanë vonuar deklarimin e pasurisë. Gjoba është 30 për qind e pagës deri në 500 euro”, ka thënë ai.