LAJMET E MBRËMJES

Misioni i dy kryeministrave për ta “dëgjuar” Kosovën

Pas Serbisë, në Kosovë të martën kanë qëndruar kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel. Ndonëse vizita e tyre ka rastisur të jetë pak kohë nga vendosja e masave të BE-së ndaj Kosovës, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë për to. Në takimet që kanë zhvilluar me krerët institucionalë, Rutte e Bettel kanë kërkuar nga Kosova e Serbia veprime drejt shtensionimit të situatës në veri. Bettel tha se ndodhen në Kosovë jo për të gjykuar, por për të dëgjuar

Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian nuk kanë zënë vend në fjalën e asnjërit prej dy kryeministrave evropianë, që të martën vizituan Kosovën.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, gjatë takimit me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, kërkuan shtensionim të situatës, por nuk përmenden masat e bllokut ku bëjnë pjesë.

Rutte e Bettel kërkuan veprime nga Kosova dhe Serbia drejt shtensionimit të situatës e kthim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Sipas kryeministrit holandez, shprehu thirrjen për Kosovën në emër të të dyja vendeve.

“Stabiliteti rajonal është proces tejet i rëndësishëm dhe sot kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe Holanda e Luksemburgu iu bëjnë thirrje të dyja partive që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të bëjnë përpjekje që të shtensionojnë situatën dhe të normalizohen raportet mes dy shteteve”, ka thënë kryeministri Rutte.

Ndërkaq, homologu i tij nga Luksemburgu, ka thënë se qëllimi i vizitës në Kosovë ka qenë ta dëgjojë qëndrimin për situatën.

“Jemi këtu sepse dëshirojmë të dëgjojmë. Kur është planifikuar ky udhëtim nuk kemi pritur që tensionet sërish të jenë kaq të fuqishme sa janë në rajon, siç janë aktualisht dhe i thamë edhe Albinit: ‘Nuk jemi këtu për të gjykuar. Këtu jemi për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura’”, ka theksuar Bettel.

Asnjë nga dy kryeministrat nuk pranuan të shpalosin pozicionin e shteteve që përfaqësojnë për masat e vendosura nga BE-ja.

Po ashtu, thanë se gjetja e fajtorit në situatën e krijuar nuk i kontribuon ndihmës që dëshirojnë të ofrojnë drejt uljes së tensioneve.

“Në momentin që kushdo nga BE-ja fillon të drejtojë gishtin dhe të thotë se Serbia ka arsye të thotë se kemi të drejtë, ose Kosova ka arsye të thotë se kemi të drejtë, në momentin që bëjnë këtë, humbim pozitën që të ndihmojmë dhe tani ajo që duam të bëjmë është të ndihmojmë”, ka thënë kryeministri Rutte.

Kryeministrat e dy shteteve të BENELUX-it insistuan se marrëveshja e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi i saj duhet të nisin së zbatuari.

E, homologu i tyre kosovar, kryeministri Albin Kurti, theksoi se marrëveshjet duhet të zbatohen në tërësi pa vonesa e pa kushte.

Sipas tij, telashet që Kosova i ka me Serbinë lidhen me moszbatimin e marrëveshjeve të dakorduara e të cilat janë lënë pa nënshkruar.

“Besoj që mungesa e zbatimit ka filluar duke e lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim të marrëveshjes nga të dyja palët. Ky ishte një gabim i madh, sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes ka hapur derën për shkelje apo moszbatim”, ka thënë kryeministri Kurti. “Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kam theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në tërësi, pa vonesa dhe pa kushte”.

Paraprakisht dy kryeministrat janë pritur nga presidentja Vjosa Osmani. Pas takimit me ta nuk pati deklarime për media, por përmes një njoftimi, Presidenca bëri të ditur se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që sfidat aktuale t’i tejkalojë me aleatë.

“Presidentja Osmani tha se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. “Në takim presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t’i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë. Në këtë kontekst presidentja Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar. Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkel marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër”.

Javën e kaluar ndaj Kosovës janë konfirmuar masat e Bashkimit Evropian, në shenj ndëshkimi për mosadresimin e kërkesave të ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri.