Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha të martën se nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it ka dëgjuar se nuk mund të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai u kërkoi atyre sqarime nëse kanë ndryshuar mendimin, ndërkaq e akuzoi Serbinë për shkelje të marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel e Ohër
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë dhe as nuk ka kushtëzime për Kosovën.
Teksa ka folur për çështjen para pjesëmarrjes në një konferencë rajonale për barazinë gjinore, Konjufca ka thënë se i ka dëgjuar përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it të thonë se për t’i hapur rrugë Asociacionit, serbët e dorëhequr duhet të kthehen në institucionet e Kosovës.
E për këtë ai u kërkoi atyre sqarime nëse e kanë ndryshuar qëndrimin.
“Unë kam dëgjuar vendet e QUINT-it që kanë thënë që nuk ka asociacion pa u kthyer serbët në institucione. Le të na tregojnë se a e kanë ndryshuar këtë qëndrim vendet e QUINT-it apo jo. Do me thënë nuk mund ta kushtëzoni Asociacionin duke e shantazhuar Kosovën prej Beogradit”, ka deklaruar Konjufca.
Deklarata e Konjufcës e pasoi një periudhë të presionit ndërkombëtar mbi Kosovën rreth themelimit të Asociacionit. Ai theksoi se për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, si dhe të planit të zbatimit të tij nuk duhet të ketë kushtëzime, ndërkaq e akuzoi Serbinë për mosrespektimin e obligimeve të dala nga këto marrëveshje.
“Marrëveshja qe besa, nëse e lexoni me vëmendje, sekuencimi i marrëveshjes, hapat sipas kohës, janë vetëm ata që fillojnë pas nenit të dytë, neni 2 hyn në fuqi në momentin kur palët pajtohen për marrëveshje, e cili është neni i dytë, që shtetet të funksionojnë si shtete sovrane. Çfarë sjellje ka kjo si dy shtete sovrane, kur Serbia shkon dhe iu shkruan shteteve të tjera letra edhe kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Ju lutem, kjo është e tepërt, kjo është një sjellje që tregon se për Serbinë ajo marrëveshje është zero”, u shpreh ai.
Neni i dytë i Marrëveshjes bazë parasheh se palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e OKB-së, veçmas ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, të respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.
Nga faktori ndërkombëtar javëve të fundit është shprehur kërkesë për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar midis Kosovës e Serbisë, përfshirë obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.