LAJMET E MBRËMJES

Ish-pjesëtari i UÇK-së dëshmon për rreptësinë e marrjes në pyetje të të ndaluarve

Dëshmitari i tetë i propozuar nga Prokuroria në rastin e ish-krerëve të UÇK-së është pyetur nga prokuroria të hënën lidhur me krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së në Bajgorë më 1998. Ish-pjesëtari i UÇK-së ka thënë se s'ka marrë udhëzime se si të veprohej me personat që dyshoheshin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe se ka dëgjuar zëra në afërsi të vendit ku merrej në pyetje një i ndaluar ku pyetej vazhdimisht

Dëshmitari i tetë në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara në Hagë ka thënë se ka dëgjuar pyetje që shtroheshin rreptë ndaj të ndaluarve në fshatin Bajgorë, në Zonën Operative të Llapit.

Në interesimin e Prokurorisë për trajtimin e të ndaluarve në Bajgorë, ish-pjesëtari i UÇK-së, për kohën sa seanca ishte e hapur, të hënën, tha vetëm se marrja në pyetje bëhej me tone të larta dhe se pyetja më e shpeshtë ishte “pse”.

"Ishin të njëjta e ishte ngritja e zërit shumë e lartë. Kështu detajet nuk kam arritur t'i dëgjoj asnjëherë", tha ai.

Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar Silvia D'Ascoli, e pyeti atë nëse mund ta dallonte ndonjë fjalë nga ato çka kishte dëgjuar.

Dëshmitari tha se ishte shumë e shprehur fjala “pse”.

Prokurorja e pyeti se nga cila dhomë vinin këta zëra me tone të larta.

Ai tha se nga dhoma “e kujdestarisë”.

Dëshmitari tha se në momentin që u anëtarësua në UÇK bëri pesë ditë stërvitje praktike, por, siç tha, nuk arriti te ligjëratat juridike për të drejtën e luftës, pasi shpërtheu beteja e Kaçanollit më 15 shtator 1998, ku edhe ai mori pjesë.

I pyetur se si veprohej me personat që dyshoheshin si bashkëpunëtorë të Serbisë, ai tha se për këtë nuk ka marrë udhëzime konkrete.

“Dëshmitar, pyetja nuk ka të bëjë me udhëzimet, sepse ju u përgjigjët që nuk keni marrë udhëzime lidhur me këtë. Tani, realisht në praktikë, çfarë ndodhte, në qoftë se ju vinit re ndonjë aktivitet të dyshimtë apo persona të cilët ju dyshonit se po kryenin aktivitete për të bashkëpunuar me armikun? Në një rast të tillë ju si ushtar i UÇK-së çfarë bënit?”, pyeti prokurorja.

“Si udhëzim, domethënë ka qenë një udhëzim gjeneral nëse e ndien veten të rrezikum apo e ndien që ka aktivitet të dyshimtë rreth objekteve tona, me rëndësi jetike që i kemi pasur, mbrojtjen e istikameve, mbrojtjen e pikave tona, mbrojtjen e armatimit, ishin që në bazë të rregullave është dashur një person i caktuar të ndalet e të identifikohet mundësisht, nëse është e mundur. E në qoftë se ne të nesërmen nuk kemi arritur ta identifikonim, ne e kemi lajmëruar rastin në Polici Ushtarake dhe ata janë marrë me hulumtim ma tutje”, u përgjigj dëshmitari.

Ish-pjesëtari i UÇK-së tha se Zona Operative e Llapit e ka pasur për udhëheqës komandant Remin, porse nuk iu kujtua emri i tij, pra i Rrustem Mustafës, që u dënua për krime lufte në Llapashticë.

Në aktakuzën e ZPS-së në rastin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit thuhet se pjesëtarë të UÇK-së vranë Osman Sinanin në Bajgorë, derisa për periudhën gusht deri në mes të shtatorit 1998 ndaluan paligjshëm, si dhe kanë keqtrajtuar 16 veta duke i rrahur me mjete të forta pasi dyshonin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar në tërësi akuzat ndaj tyre.