Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka vlerësuar me notë të dobët punën e ligjvënësve gjatë vitit të kaluar. Në një raport që u publikua në një ngjarje ku mori pjesë kryetari i Kuvendit dhe shumica e shefave të grupeve parlamentare, u kritikua mungesa e deputeteve në seanca, gjuha joparlamentare dhe efikasiteti i munguar në përmbushjen e agjendës legjislative. Kryeparlamentari Glauk Konjufca paralajmëroi që janë duke punuar për disiplinimin e deputetëve për pjesëmarrje në seanca
Me notë të dobët është vlerësuar puna për vitin e kaluar e deputetëve të Kuvendit, në një raport të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ngjarja e IKD-së që nisi 20 minuta më vonë për shkak të vonesave të deputetëve pjesëmarrës, në fokus të diskutimit e pati mungesën e kuorumit si një ndër problemet që e ka penguar funksionimin e rregullt të Kuvendit.
Raporti për Kuvendin që e mbante titullin “Dobët” ka radhitur një varg problemesh që e kanë përcjellë punën e këtij institucioni. Ndër gjetjet ishte edhe polarizimi i grupeve parlamentare dhe mosmiratimi i asnjë nisme ligjore të opozitës.
“Në lidhje me aktivitetin legjislativ puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet. Në secilën seancë plenare projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mospjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit. Edhe kjo legjislaturë është karakterizuar nga gjuha joparlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, ka thënë Naim Jakaj, autor i Raportit.
Ndonëse u pajtua me disa nga gjetjet e raportit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se megjithatë legjislatura që ai drejton as që krahasohet me ato të kaluarat në aspektin e vëllimit të punëve. Ai tha se ky raport e ndihmon avancimin e Kuvendit porse tha se përveç analizave kuantitative shoqëria civile duhet të kalojë edhe në analiza kualitative.
Konjufca e përmendi si problem mospjesëmarrjen e deputetëve në seanca, çështje të cilën tha se janë duke u angazhuar që ta zgjidhin, meqë vlerësoi se ka kontradiktë ligjesh për sanksionim ose jo të deputetëve.
“Pa i shkelur parimet e pavarësisë së deputetit dhe duke u munduar që ta heqim çfarëdo ndjenje të trysnisë te deputeti, është si të arrihen mekanizma të mbikëqyrjes së punës së deputetëve dhe, të themi, të stimulimit, të disiplinimit të deputetëve. Disiplinimin e kam në kuptimin e pjesëmarrjes dhe të qenit i përgjegjshëm në detyrën e vet”, ka thënë kryeparlamentari.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pati vërejtje për titullin e raportit, ani se u shpreh që i pranon kritikat e rekomandimet. Ajo tha se si deputetë do të duhej të kishin një harmonizim për t’i ndarë seancat ku duhet të bëhet diskutimi dhe ato ku do të mund të bëheshin vetëm votimet, në mënyrë që të shmangej dështimi i seancave.
“Nuk na pëlqen kur e marrim raportin me titullin ‘Dobët’, bile mjaftueshëm me pasë qenë. Kjo po tingëllon thuajse kemi ngelur e unë mendoj që është një stad ose ka një avancim në raport me legjislaturat paraprake në kuptimin e efikasitetit, përkundrejt që jemi larg për të qenë atje ku dëshirojmë të jemi”, ka thënë Kusari-Lila.
Përveç mangësive të përmendura, opozita pati kritika edhe për ligjet e sponsorizuara nga Qeveria. Deputeti i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj, u shpreh se shumë nga to mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese. Ai u ankua se në seanca ndodh që kryeministri ta përcaktojë mbajtjen ose vazhdimin e mbledhjes plenare, varësisht nga agjenda e tij.
“Kjo legjislaturë ose Qeveria dhe Kuvendi në këtë rast po prodhojnë ligjet më të këqija që ka pasur Kuvendi i Kosovës ndonjëherë. Unë mendoj se çdo i dyti ligj ka mundësi të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, por besomi që nuk po kemi as kapacitete njerëzore si parti politike”, ka thënë Selmanaj.
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, i përmendi katër probleme që e karakterizojnë Kuvendin: mungesa e kuorumit, gjuha joparlamentare, votimi elektronik dhe mospërzgjedhja e organeve kolegjiale. Ai adresoi ankesa edhe për diskursin publik që është krijuar lidhur me privilegjet e deputetëve.
“Punë më pa privilegj se të jesh deputet nuk ka. Deputeti e ka pagën 200 euro më të vogël se zëvendësministri. Ai ka zyrë, këshilltarë, asistentë, shoferë e të tjera, të cilat ne nuk i kemi. Tash nëse flasim për keqpërdorime duhet t’i ndajmë nga privilegjet”, ka thënë Tahiri.
Sipas raportit të IKD-së, 24 deputetë gjatë vitit të kaluar nuk kanë ngritur kurrfarë çështjeje në Kuvend, pjesa më e madhe e tyre i takon grupit parlamentar të Listës Serbe. Aty thuhet se seancat e rregullta janë karakterizuar me vazhdime të shumta, që përbëjnë 53 për qind të totalit të seancave të rregullta.
Kontrolli parlamentar lidhur me punën e Qeverisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura vlerësohet gati inekzistent. Ndërkaq sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, IKD ka gjetur se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa kryetari i Kuvendit apo kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me rregullore.