Tri vendimet mbi bazën e të cilave ka funksionuar deri tash Ekipi Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit janë publikuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Veç përbërjes së ekipit, qeveritarët kanë thënë se ky ekip nuk ka raportuar lidhur me punën e deritashme e as nuk i është përgjigjur ftesës së Qeverisë për t’i koordinuar veprimet. Asociacioni të cilin ka marrë përsipër ta zbatojë edhe Qeveria aktuale pritet të diskutohet në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Krahas tri vendimeve të qeverive të kaluara lidhur me Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria aktuale pretendon se nuk ka informacione mbi punën dhe përmbajtjen e dokumenteve të draftuara.
Pas kërkesave të shumta, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar të enjten tri dokumente me përbërjen e ekipit dhe një tjetër për ftesën që i është bërë Ekipit Menaxhues nga ministri aktual, Elbert Krasniqi. Por, sipas tij, Ekipi Menaxhues deri më tash ka refuzuar ftesën për takime.
“Pika e gjashtë e vendimit të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën, më 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi, ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë së Hashim Thaçit. Vendimi i dytë ishte marrë në qershorin e 2016-s, gjatë qeverisjes nga Isa Mustafa, kurse i treti në shtator të 2020-s, gjatë Qeverisë së Avdullah Hotit.
Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar - Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy të tjerët janë ndryshuar vazhdimisht, teksa Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e ekipit, bazuar në vendimin e vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe koordinatore e Ekipit Menaxhues.
Kurti: Mungon konstruktiviteti nga pala tjetër
I painformuar për punën e deritashme të ekipit është shfaqur edhe kryeministri Albin Kurti, të cilit Bashkimi Evropian (BE) ia ka refuzuar ofertën për ta draftuar Asociacionin.
“Ministri im i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka ftuar në takim Ekipin Menaxhues, por ai nuk është përgjigjur. Pra, është kjo Ministri në kuadër të Qeverisë, e cila merret për së afërmi me këtë menaxhues për draft-statutin, siç është bërë marrëveshja dikur në Bruksel, e siç është ndryshuar përbërja në Qeveri, para se unë të bëhem sërish kryeministër”, ka deklaruar Kurti të enjten, pas homazheve të mbajtura në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës, me rastin e 24-vjetorit të masakrës në këtë fshat. Përkitazi me Propozimin Evropian dhe Ankesin për zbatimin e tij, përbrenda të së cilit trajtohet edhe Asociacioni, Kurti ka shtuar se pret që teksti i dakorduar në mes të Kosovës dhe Serbisë të shndërrohet në marrëveshje.
“Sa i përket Kosovës dhe meje, gjithçka është e qartë dhe e garantuar, por ndërmjetësit evropianë do të duhej të bënin trysni mbi palën tjetër. Shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet, kur dimë që pikërisht në Batajnicë, në varrezën masive, ku nuk ka asnjë pllakë, asnjë shënim që aty ka pasur dikur varrezë masive, organizohet paradë ushtarake, e ku ftohen edhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës, edhe lideri separatist i serbëve të Bosnjës, Dodik. Këto shenja nuk janë të mira, mirëpo me palën tjetër nuk do të mund të merremi ne, sepse ne nuk kemi juridiksion mbi Beogradin, këtë duhet ta bëjë Bashkimi Evropian”, ka theksuar shefi i Qeverisë.
E emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është e rëndësishme që të fillohet sa më shpejt me përcaktimin e statusit dhe të kompetencave të Asociacionit.
“Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë që të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës. Është një temë e ndjeshme, flitet shumë për të, por për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë komuniteti, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij. Ne do t’u përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”, ka theksuar Lajçaku në një intervistë për sllovaken “Dennikn”. “Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet draft-statuti, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”.
Ani se ka thënë që nuk do të kthehet në të kaluarën, Lajçaku ka deklaruar se Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e Asociacionit, ndërsa Serbia, sipas tij, i ka shpërndarë strukturat paralele ashtu siç ishte arritur dakordimi.
“Thelbi i asaj marrëveshjeje ishte se Serbia, nga njëra anë, do të shpërbënte strukturat paralele në Kosovë, kryesisht policinë dhe gjyqësorin, të cilat më pas do të bëheshin pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Dhe në anën tjetër, Kosova do të krijojë Asociacion të komunave serbe. Pjesa e parë ndodhi, e dyta jo. Nuk dua të shkoj në të kaluarën dhe të vlerësoj pse ndodhi”, ka shtuar diplomati sllovak.
Lidhur me implementimin e nenit 7, sipas Aneksit për zbatimin e marrëveshjes, “Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.
Trajkoviq: E tmerrshme se kush po vendos për fatin e serbëve
E pas publikimit të dokumenteve ka reaguar kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve, Rada Trajkoviq, duke thënë se deputetja dhe fansja e Milan Radojçiqit, Danijela Vujiçiq, që është pjesë e partisë së presidentit serb Vuçiq, është në përbërje të ekipit menaxhues për Asociacionin.
“Sigurisht që ajo nuk është juriste dhe nuk ka kualifikime për këtë punë. Por është superfanse e Milan Radoiçiqit. Është e tmerrshme në duart e kujt Vuçiqi e vendos fatin e serbëve në këtë moment kritik. Dhe pastaj pyetet se përse puna me Asociacionin po ngec”, ka shkruar Trajkoviqi në Twitter.
Lidhur me punën e ekipit menaxhues dihet vetëm nga raportet e mediave serbe, kur ata zhvillonin takimet në komunat e populluara me shumicë serbe. Ata patën shprehur përcaktimin për kompetenca ekzekutive të Asociacionit, në fushën e zhvillimit ekonomik, shëndetësi, arsim e planifikim hapësinor.
Me gjithë konstatimin e shkeljeve në të shtatë kapitujt e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe ajo që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.
Asokohe patën themeluar Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë pjesëtarët kanë qenë serbë. Pas dorëzimit të draftit asnjëherë nuk ishte zbardhur përmbajtja e tij.
Qeveria Haradinaj njëherë ia pati kthyer Ekipit Menaxhues për t’i bërë përmirësimet e nevojshme dhe përkthimin nga gjuha shqipe, pasi që drafti ishte dorëzuar vetëm në cirilikë. Afati i fundit për ta dërguar statutin në Bruksel ka qenë 4 gushti i vitit 2018. Por, as Qeveria dhe as BE-ja asnjëherë nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur me këtë dokument.