Zyrtarët policorë Elez Peci dhe Avni Shala kanë dëshmuar të enjten para trupit gjykues për ngjarjen e 24 shtatorit të vitit 2023, kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku pati mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Dëshmitarët e kanë kualifikuar sulmin si tipik ushtarak dhe kanë thënë se përgjatë jetës së tyre profesionale nuk janë ballafaquar me një të tillë
Sulm tipik ushtarak dhe të organizuar mirë e ka cilësuar zyrtari policor Elez Peci, sulmin terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku pati mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ai bashkë me zyrtarin tjetër policor, Avni Shala, kanë dëshmuar të enjten para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në gjykim ndaj të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladmir Tolliq, zyrtari policor Elez Peci ka thënë se në fillim situata ka qenë normale deri në momentin, kur i ka parë kamionët e barrikaduar. Ai ka thënë se në atë moment kanë nisur dyshimet se mund të bëhej fjalë për një kurth.
“Kur i kemi ndalë automjetet, kemi vazhduar në drejtim të kolegëve tanë, të cilët kanë qenë duke e monitoruar situatën. E kam vërejtur që diçka nuk është në rregull, fshati në terr, drita shumë pak, kurse rruga ku kemi qenë ne shumë ndriçim i fortë, kur jemi afruar te kolegët tanë, unë kam thënë: ‘Kolegë po shpërndahem se mundet me qenë kurth’”, ka rrëfyer Elezi.
Ai ka thënë se duke shkuar në drejtim të “Reka e Banjskës”, ka ndodhur një shpërthim i fortë e i cili është pasuar menjëherë me të shtëna të armëve.
Elezi ka rrëfyer edhe për momentin kritik të tërheqjes së trupit të rreshterit të ndjerë, Bunjaku.
“Kur i kom shti duart mbrapa krahëve, m’u kanë nxehë duart, e kam ditë që gjak dhe i kam larguar se kam thënë mos pe lëndoj. E kam tërhequr deri te dera e automjetit. Te dera nuk kam mundur se isha edhe me pajisje. E kam gjuajtur anti-plumbin në kerr dhe e kam mbyllë derën dhe kam hyrë te pasagjeri kurse Mirsadi te shoferi. Të shtënat nuk janë ndalë asnjë moment. Derisa u sill në drejtim të Mitrovicës dhe Mirsadi ka thanë ma shpërthyen gomën”, ka treguar ai.
Në sesionin e pasdites të seancës gjyqësore është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit edhe zyrtari policor, Avni Shala, i cili ka thënë që pas detonimit ka pasur gjuajtje rafal të armëve të kalibrave të ndryshëm dhe se ka dëgjuar disa sharje në gjuhën serbe.
“Unë nuk kam parë persona, s’kam pasur mundësi sepse ka pasur barrikada dhe anën tjetër kanë qenë automjetet tona. Kam dëgjuar zëra, sharje dhe krisma. E kam vërejtur dronin që është mbi kokat tona. Ka qenë çështje mbijetesë, kam dëgjuar zëra”, ka thënë dëshmitari Shala.
E tri ditë pasi që ka ndodhur sulmi, Shala ka thënë se ai dhe ekipi policor janë kthyer në vendin e ngjarjes, me ç’rast ka theksuar se e kanë kuptuar që pozita në të cilën ata janë ndodhur në natën e sulmit ka qenë më e pafavorshme.
“Pas tri dite, ne punojmë në atë zonë dhe kemi shkuar nga kureshtja. Kolegët kishin fotografuar mbetjet e predhave të pashpërthyera. Pastaj, kemi parë nga Manastiri dhe kam parë pozicionin e pafavorshëm, ku kemi qenë, si në pëllëmbë të dorës. Ne kemi qenë në pikën më të ulët të fshatit”, ka thënë ai.
Lidhur me sulmin e shtatorit të 2023-tës, Prokuroria Speciale ka ngritur në shtator të vitit të shkuar aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 43 personave të tjerë për sulmin në Banjskë.
Tre prej tyre janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe po gjykohen, ndërsa për 41 të tjerë është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.
Aktakuza i ngarkon shumicën e të akuzuarve për kryerje të terrorizmit dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Sipas dokumentit prej 158 faqesh, Radoiçiqi ngarkohet edhe me akuzën për lehtësim dhe financim të kryerjes së terrorizmit dhe shpëlarje të parave, ndërsa Radulle Steviq dhe personi juridik RAD D.O.O. me shpëlarje të parave. Në aktakuzë thuhet se grupi i serbëve të armatosur, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.