Presidenti i KE-së, Antonio Costa, do ta vizitojë Kosovën më 15 maj në kuadër të turneut të javës së ardhshme në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Vizita në Kosovë është e paraparë në prag të Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, i cili do t’i zhvillojë punimet më 16 maj në Tiranë. Sipas burimeve në BE, Costa do të ketë me këtë rast edhe një darkë joformale me liderë të rajonit
Presidenti i Këshillit Evropian (KE), Antonio Costa, pritet që ta vizitojë Kosovën më 15 maj, në kuadër të turneut që ai do ta zhvillojë gjatë tërë javës së ardhshme në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Vizita e Costas në rajon është paraparë në prag të Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, e cila do të zhvillohet të premten e 16 majit në Tiranë të Shqipërisë.
Do të jetë kjo vizita e parë e presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në rajonin e Ballkanit Perëndimor prej kur ai e mori postin e presidentit të KE-së.
Sipas një burimi në Bashkimin Evropian, kjo vizitë në rajon do të kulmojë me një darkë joformale që Costa do ta ketë me liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë qëndrimit në Tiranë ndërsa në atë takim do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas si dhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, vendi i të cilit është kryesues i radhës i BE-së.
Gjatë fjalimit në Qendrën për Politikë Evropiane në mars, me rastin e 68-vjetorit të Traktatit të Romës, Costa pati konfirmuar se në maj do ta vizitojë rajonin e Ballkanin Perëndimor.
“Zgjerimi është investimi më i mirë gjeopolitik i Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse kam vizituar Ukrainën dy herë në katër muajt e fundit, Moldavinë në mars dhe pse samiti i parë që unë drejtova ishte me Ballkanin Perëndimor, një rajon që do ta vizitoj gjatë muajit maj”, pati thënë Costa.
Ai ka theksuar po ashtu se BE-ja duhet të punojë me vendosmëri për ta integruar Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë, duke e cilësuar zgjerimin si një nga arritjet më të mëdha gjeostrategjike të unionit.
E në një konferencë për gazetarë në Bruksel të enjten, një zyrtar i BE-së është pyetur më së shumti për raportet në të ardhmen mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka anashkaluar thirrjet e adresuara nga BE-ja për të mos udhëtuar në Moskë për paradën e fitores ndaj fashizmit. Në BE kanë thënë se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, se do të mbetet e tillë porse raportet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian do të gjykohen në bazë të meritave individuale të secilit shtet.
Ky zyrtar i BE-së ka thënë po ashtu se vendet anëtare të bllokut kanë bërë të qartë tanimë se çfarë mendojnë për një sjellje të këtillë të Serbisë. Por ai ka refuzuar që të thotë nëse do të ketë apo jo pasoja për Serbinë shkaku i veprimit të Vuçiqit.
Bashkësia Politike Evropiane është një nismë panevropiane, e cila bashkon më shumë se 47 liderë nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga institucionet e BE-së.
Samiti në Tiranë do të jetë i gjashti me radhë i zhvilluar në këtë format. Bashkëkryesues të këtij samiti do të jenë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Temat e diskutimit në samit do të jenë e ardhmja e përbashkët e Evropës, siguria, mbrojtja e demokracisë dhe fuqizimi i të rinjve.
Në BE kanë thënë se ky do të jetë një rast shumë i mirë për të promovuar edhe lidhjet e forta të rajonit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian por edhe si një platformë e përgjithshme evropiane për të diskutuar sfidat e përbashkëta.