LAJMET E MBRËMJES

Bizneset e gastronomisë shpërfillin thirrjen për pajisje me matës të zhurmës

Vetëm rreth 12 për qind të subjekteve afariste në Prishtinë i janë përgjigjur thirrjes për vendosjen e pajisjeve për matjen e nivelit të zhurmës në sektorin e gastronomisë. Afati për aplikim, i cili ka skaduar, është zgjatur të premten edhe për katërmbëdhjetë ditë të tjera. Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se po tregohet mirëkuptim për biznese

Vetëm 12 për qind e subjekteve afariste i janë përgjigjur thirrjes së Komunës së Prishtinës për të vendosur pajisje, të cilat e bëjnë matjen e nivelit të zhurmës në sektorin e gastronomisë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur të premten, nëpërmjet një konference për media, se afati për vendosjen e këtyre pajisjeve, i cili veçse ka skaduar, do të zgjatet edhe për 14 ditë të tjera. Ai ka paralajmëruar që në rast të shkeljeve eventuale të rregullores për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike, e cila është në fuqi qysh nga dhjetori i vitit të shkuar, do të zbatohen gjobat e parapara me rregullore që nisin nga 500 deri në 5.000 euro dhe që parashikojnë edhe mbylljen e mundshme të lokaleve.

“Për herë të parë në kryeqytet më në fund kemi filluar që të krijojmë kushte për bashkëjetesë të shëndetshme ndërmjet banorëve dhe këtij sektori. Këtë konferencë për shtyp e kam thirrur që të bëj thirrjen e fundit për sektorin e gastronomisë për aplikim për pajisje. Edhe pse afati për aplikim ka skaduar, kam shprehur vullnet që ta shtyjmë afatin për pajisje edhe për 14 ditë”, ka thënë Rama. “Në rast të dështimit të respektimi të kësaj rregulloreje, që e kemi hartuar së bashku, do të fillojmë me fazën e ndëshkimeve me gjoba që fillojnë nga vlera minimale 500 euro deri në 5 mijë euro. Në raste të shkeljeve Inspektorati do të pezullojë punën e objektit afarist deri në 8 ditë”, ka shtuar ai.

Përkitazi me zgjatjen e afatit, Rama ka theksuar se është bërë me qëllim që të nxiten aplikime të tjera.

“Nuk është ideja që t'i ndëshkojmë bizneset, por ideja është që së bashku të krijojmë ambient të mirëfilltë edhe për rezidentë edhe për gastronomët”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës.

E Arian Vranica, përfaqësues i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ka thënë gjatë konferencës së përbashkët se pronarët e këtij sektorit kanë nevojë që të informohen edhe më tutje për procesin e aplikimit.

“Një zgjidhje natyrisht se kërkon kohë për vetëdijesim, sepse vetë bizneset nuk janë të njoftuara mjaftueshëm, të themi ashtu se po shoh që gjendja është ashtu ndryshe nga ajo që është në letër, realisht duhet të plotësohen me atë informatorin e nevojshëm se kush është i kualifikuar nëse është subjekt që afektohet nga kjo rregullore”, ka thënë ai.

Florian Dushi, drejtor i Inspektoratit në Prishtinë, ka thënë se për moszbatuesit e rregullores është treguar mirëkuptim, shkaku që pajisjet e matjes së nivelit të zhurmës përbëjnë një proces të ri për sektorin.

“Kemi treguar mirëkuptim për fazën e cila duhet të jetë më e zgjatur në kuptimin e aplikimit, por edhe përfundimit të procedurave nga organet kompetente komunale, prandaj ka qenë kërkesë e këtyre institucioneve, por edhe vullnet i mirë i kryetarit dhe prandaj jemi sot këtu që të bëjmë thirrje edhe një herë që subjektet e gastronomisë të aplikojnë për pajisje”, ka thënë Dushi.