LAJMET E MBRËMJES

ASK-ja kërkon të shtyhet regjistrimi i popullsisë deri në prill

Procesi i regjistrimit të popullsisë brenda këtij viti pritet të dështojë, meqë Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është bërë gati që ai të nisë më 1 nëntor. Ky institucion i ka kërkuar Qeverisë që ta shtyjë datën për prill të vitit të ardhshëm. Deputetë të opozitës kritikuan për keqmenaxhim kryeshefin e ASK-së dhe Qeverinë

Procesi i regjistrimit të popullsisë që me kërkesë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga 1 shtatori u shty për 1 nëntor, sërish s’është gati të nisë. Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ASK-së, Ilir Berisha, bëri të ditur se Qeverisë i është kërkuar që të shtyhet procesi deri në prillin e vitit të ardhshëm. Por, para se ta jepte këtë informacion që u nxor me pyetjet insistuese të deputetëve të opozitës, Berisha deklaroi se janë duke u përpjekur që regjistrimi të përmbyllet brenda këtij viti.

Për fillimin e regjistrimit ASK-ja ka edhe mungesë të kapaciteteve njerëzore por edhe teknike. Për këtë proces parashihen të jenë 900 mbikëqyrës e 3500 regjistrues të cilët nuk kanë aplikuar në këtë numër të nevojshëm. Punën ata duhet ta kryejnë me tabletë të cilat operatori ekonomik nuk i ka dorëzuar sipas kontratës e brenda afateve.

Kësisoj, Berisha thotë se edhe trajnimi i regjistruesve e mbikëqyrësve është i pamundur pa tabletë.

“Sfidat aktuale janë mungesa e tabletëve në kohë. Anash asaj, jemi vonë me trajnimet për shkak se pjesa e tyre organizohet me katër nivele dhe niveli i tretë e i katërt bëhet me mbikëqyrës dhe regjistrues të cilët ne ende nuk i kemi zgjedhur meqë nuk kanë aplikuar mjaftueshëm dhe jemi në diskutim që të rishikohet, të bëjmë thirrje në fillim të javës tek ato komuna ku ka mungesë. Pastaj, trajnimi i mbikëqyrësve dhe regjistruesve bëhet me tabletë”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se më 14 tetor është nënshkruar kontrata tjetër dhe se brenda 14 dite pritet të vijnë 3500 tabletë. E më pas do të jetë çështje javësh edhe trajnimi i personave të përzgjedhur. Por, megjithëkëtë, ai tha se janë duke tentuar që procesin ta përmbyllin brenda vitit. E për fillimin e tij me kohë, ka thënë se kanë disa alternativa.

“Grupet punuese Komisioni i ka shikuar mundësitë për metoda të kombinuara përmes internetit që do të shfrytëzohet eKosova dhe tjetra përmes telefonit. Do t’i shohim mundësitë që të fillojmë më 1 nëntor”, ka thënë ai.

Por, mospërgatitja për këtë proces, i cili është shtyrë disa herë, u vlerësua e papranueshme nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili gjatë pyetjeve të tij për Berishën, e bëri atë të deklarojë se Qeverisë ia kanë dorëzuar edhe një kërkesë për shtyrje të sërishme të procesit deri në prill, e të cilën Berisha nuk e përmendi deri në gjysmë të mbledhjes.

“E pse nuk po më përgjigjesh drejt kur po them se a do të filloni më 1 nëntor? Pse s’po thoni që e kemi dorëzuar propozimin për ta shtyrë datën. Mos kështu Ilir. Kjo është e papranueshme”, ka thënë Hoti.

Mosmenaxhimi i mirë i këtij procesi u kritikua edhe nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Është vetëm farsë dhe nuk tregon seriozitet as të institucionit të ASK-së e as të Qeverisë. Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë çështje”, ka thënë ai.

Gjatë raportimit të tij Berisha ka përmendur edhe një çështje tjetër që mund të jetë sfiduese pas fillimit të regjistrimit. Ai ka thënë se kryerja e këtij procesi në komunat me shumicë serbe në veri mund të jetë vështirësi.

“Ka vështirësi në katër komunat veriore edhe për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit. Ne po shpresojmë që kjo do të jetë e tejkaluar dhe do të krijohen kushte më të mira. Mirëpo, sipas rekomandimeve ndërkombëtare, në vendet ku zakonisht ka situata jo të qeta, atëherë nuk preferohet të bëhet regjistrimi i popullsisë për shkak se norma e refuzimit është e lartë”, ka shtuar ai.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë 12 vjet më parë.

Qeveria do të ndajë mjetet për kompensim të vërshimeve – kostoja 35 milionë euro

Rreth 35 milionë euro janë dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet, në shtator të vitit të kaluar e në janarin e sivjetmë. Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ministri Hekuran Murati është shprehur se në mbledhjet e radhës së Qeverisë së Kosovës pritet të trajtohet si pikë e rendit të ditës vlerësimi i këtyre dëmeve dhe ndarja e mjeteve për ata që kanë pësuar.

“Tani që i kemi të gjitha informatat e konsoliduara, besoj që në njërën nga mbledhjet e radhës, që shpresoj se do të mbahet shumë shpejt, do ta trajtojmë si pikë të rendit të ditës. Vetëm se tash ka mbetur për diskutim edhe me ministritë e tjera, pra që mbulojnë veçmas bujqësinë, tregtinë apo edhe çështjet e familjeve sociale”.

Për vonesat në ekzekutimin e mjeteve për kompensim ka pasur kritika të shumta nga deputetë të opozitës në drejtim të ministrit.