Claude Cahn, hulumtues i Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve, ka dëshmuar në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Gjykatën Speciale. Cahn tha se ka pasur tendenca për hakmarrje nga shqiptarët ndaj romëve menjëherë pas luftës. Situatën fill pas luftës e përshkroi si kaotike
Përpjekjen për hakmarrjeje të shqiptarëve në raport me romët qysh në muajt e parë pas çlirimit të Kosovës e ka përmendur Claude Cahn në dëshminë e tij të dhënë gjatë shqyrtimit gjyqësor në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së. Cahn, i cili ka qenë hulumtues në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve, tha se në Prizren, saktësisht në lagjen “Terzimahallë”, nga data 2 deri në 7 korrik ka vërejtur që kishte atmosferë hakmarrjeje e edhe pengesa në intervistat që i bënte me romët. Megjithatë, tek iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes, dëshmitari Cahn nuk tregoi se kush ishin personat pa uniforma që digjnin shtëpi rome.
“Ne nuk bëmë asnjë përpjekje dhe kishim udhëzim të mos kontaktonim me UÇK-në. Nuk flisnim me autoritete ushtarake, ushtri të çrregullta... Nuk i kontaktonim, nuk i kërkonim. Nuk shkuam në shkollën ku thuhej se mbanin persona të ndaluar. Nuk bënim një turizëm të tillë kaq të rrezikshëm. Vetëm dokumentonim ato që shihnim, merrnim dëshmitë e njerëzve që kishin të ngjarë të ishin abuzuar”, theksoi Cahn.
Për më tepër situatën fill pas luftës dëshmitari e përshkroi si anarkike e kaotike.
“Pashë që civilët, publiku, digjnin shtëpi, ua vinin flakën shtëpive. Nuk mund të jap asnjë përgjithësim se kush ishin këta persona. Pamë persona civilë që silleshin, sipas meje, në mënyrë shumë të çuditshme. Kemi qenë te një komunitet rom që na duhej të shkonim me taksi në periferi të Prizrenit, shkuam dy herë me taksi në këtë komunitet rom dhe në të dyja herët nuk e hiqnim dot qafe shoferin. Vinte na komentonte çdo gjë të mundshme se çfarë thoshin romët. Nuk ikte, nuk lëvizte nga vendi. Unë nuk e di tani a ishte anëtar i UÇK-së apo jo ky person. Nuk di asgjë për këtë person, por mund t’i shihje civilët që silleshin në mënyrë të papërshtatshme, kaos, anarki, janë termat më të përshtatshëm për ta përshkruar situatën”, deklaroi Cahn.
Në dëshminë e tij, Cahn tha se romët që i ka intervistuar në Gjakovë e Prizren ishin të frikësuar dhe se disa prej tyre kishin marrë lëndime të mëdha fizike nga rrahjet.
U shpreh se disa shqiptarë i kishin thënë se romët i kanë bërë krimet më të rënda të luftës në Kosovë, derisa romët me të cilët ka folur i kanë thënë se forcat serbe përmes kërcënimit me armë i kanë detyruar të plaçkitnin dyqanet e shqiptarëve e të merreshin me varrime kufomash pasi forcat serbe kryenin vrasje. Dëshmitari tha se interpretimi dallonte dhe se romët kishin një pozitë të vështirë, meqë bënin përpjekje të jetonin në mes të shqiptarëve dhe serbëve, përderisa shpesh detyroheshin të merrnin anë.
Cahn përmendi që hulumtimi i tij me 30 intervista është realizuar në periudhën 2 deri në 7 korrik, se shpesh fliste më shumë se një person përnjëherësh, dhe meqë personat e intervistuar ishin të traumatizuar, edhe rrëfimi i tyre ishte i çrregullt. Dëshminë e përmbylli të hënën edhe dëshmitarja e 49-të, e cila foli lidhur me vrasjen e një familjari që sipas aktakuzës ndodhi në Zonën Operative të Llapit.