LAJMET E MBRËMJES

1.3 milionë euro për ndërtimin e çerdheve shkojnë për projekte tjera

Fajin për mos shfrytëzimin e 1.3 milionë nga 6.5 milionë euro të parapara për ndërtimin e çerdheve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ua faturoi drejtorive komunale të Arsimit. E disa nga drejtorët komunal të arsimit kanë thënë se mosshfrytëzimi i mjeteve është pasojë e neglizhencës së Ministrisë

Në vendin ku para një viti në kryeqytet, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryeministri Albin Kurti e vendosën gurthemelin për ndërtimin e një çerdhe në lagjen Kolovica, ka mbetur vetëm një pllakat i shkatërruar. E ky nuk është i vetmi projekt që nuk u realizua.

Buxheti prej 6.5 milionë euro sa ishte i paraparë për këtë vit për ndërtimin e çerdheve të reja, nuk u shpenzua në tërësi nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

1.3 milionë euro nga ky buxhet u bart për projekte të tjera. E fajin për këtë, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ua barti Drejtorive komunale të Arsimit.

“Kanë munguar kërkesat nga komunat të kompletuara, të identifikuara lokacionet apo hapësirat ku mund të ndërtohen për çerdhe, buxheti nuk ka mundur të shpenzohet në tërësi... na nevojitet që komunat t’i identifikojnë lokacionet, ju e dini rastin e çerdhes në Prishtinë, përkundër se ne kemi kërkuam nga Drejtoria e Urbanizmit ta zgjidh problemin e pronës, ata nuk e bën një gjë të tillë”, ka thënë Nagavci.

Akuzat e ministres disa nga DKA-të i mohuan. Avni Morina, drejtor i Arsimit në Rahovec, ka thënë se 100 mijë euro të paraparë për këtë komunë nuk janë shpenzuar si pasojë e neglizhencës së Ministrisë për të finalizuar planifikimet buxhetore.

“Më vjen keq, por kjo akuzë nuk vlen për komunën e Rahovecit.

Ndërtimi i çerdhes për fëmijë në Rahovec është buxhetuar për vitin 2024-2025. Dhe ky buxhetim është realizuar si rezultat i kërkesës sonë të vazhdueshme. E, 100 mijë kanë qenë të buxhetuara për vitin që shkoi. Por projekti nuk ka nisur këtë vit. Si rezultat i neglizhencës së MASHTI-t”, ka thënë Morina.

Qemajl Sejdija, drejtor i Arsimit në Klinë, ka thënë se një kërkesë të tyre për ndërtimin e një çerdheje nuk e ka miratuar Ministria.

“Kemi bërë kërkesë për ndërtimin e një çerdheje. Më kanë thënë se mund të realizohet përmes programit IPA 2016. E pastaj në Ministri kanë thënë se do të jetë vështirë e realizueshme për vitin e ardhshëm. Që do të thotë kërkesat nga ne nuk kanë munguar, por ka munguar gatishmëria e Ministrisë”, ka deklaruar Sejdija.

E, disa objekte të cilave iu vendosën gurthemelet nga liderët institucional, u kthyen në vend strehimi për qentë endacakë. Objekti i çerdhes në fshatin Zajm të Klinës ka mbetur pa dyer e dritare. E, dy objekte në Prizren e Suharekë kanë mbetur peng i inventarit, përkundër premtimit se këto dy godina do të funksionalizohen në qershor.

Për këto zvarritje, Nagavci u arsyetua me vonesat në procedurat e prokurimit.

“Disa herë ka pasur çështje nga Organi i Shqyrtues i Prokurimit për shkak të ankesave, që nganjëherë ka qenë pak absurd sepse ka pasur vonesa të paarsyetuara edhe nga palët të cilat kanë paraqitur ankesa edhe pse fare nuk kanë marrë pjesë në tender por kjo e ka vet vështirësuar punën”, ka thënë Nagavci.

160 çerdhe janë premtuar nga Ministria se do të ndërtohen gjatë mandatit të tyre. Nagavci ka njoftuar se për dy vite kanë përfunduar katër çerdhe, në Prizren, Istog, Gjilan e Viti. Ajo po ashtu bëri të ditur se 26 janë në proces të ndërtimit, tetë në proces të tenderimit dhe 6 objektet shkollore do të shndërrohen në çerdhe. Nga këto të dhëna, më së shumti çerdhe janë planifikuar të ndërtohen në komunën e Gjilanit, gjithsej 5, në Prishtinë, Podujevë, Prizren, Ferizaj e Pejë nga tri, ndërsa në komunat e tjera nga një çerdhe.