LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja i kundërshton provat e Prokurorisë për opinionin e “Hill International” rreth dëmshpërblimit

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë vazhdoi gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe të tjerëve, në rastin e njohur si 53-milionëshi. Prokuroria nuk arriti ta sigurojë praninë e dëshmitarëve të saj, teksa trupi gjykues vendosi që ata të nxirren para gjykatës në seancat e radhës. E mbrojtja i hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë rreth opinionit të kompanisë “Hill International” për vlerën e dëmshpërblimit në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”

Pa praninë e dëshmitarëve të prokurorisë u zhvillua të mërkurën seanca gjyqësore në rastin e njohur si “53-milionëshi”, ku një nga të akuzuarit është ish-ministri i Infrastrukturës dhe deputet i AAK-së, Pal Lekaj.

Prokuroria nuk arriti ta sigurojë prezencën e dëshmitarit Georgios Papaioannou, përfaqësues i kompanisë “Hill International”, që ishte menaxhere e projektit për autostradën “Arbën Xhaferi”, si dhe të Riyadh Alkhazrahi, përfaqësues i kompanisë punëkryese, “Bechtel&Enka”.

Nga Prokuroria kërkuan që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në polici më 2019, por mbrojtja insistoi që ata të dëshmojnë para gjykatës, të cilën kërkesë e pranoi gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

“Gjykata merr aktvendim që të refuzohet propozimi i prokurorit të Prokurorisë Speciale. Obligohen prokurorët e Prokurorisë Speciale që brenda intervalit kohor, gjatë seancave të këtij shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale të tentojnë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare apo nga rrugë të tjera që të bëjnë sigurimin e dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë”, ka thënë Namani – Hajra.

Në këtë rast, Prokuroria pretendon se të akuzuarit, ish-ministri i Infrastrukturës, Lekaj, ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ish-sekretari i Përgjithshëm, Nebih Shatri, dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në këtë Ministri, Besim Tahiri, pranuan t’i jepnin “Bechtel & Enka”-s 53 milionë euro, ani se kompania e angazhuar për menaxhimin e projektit, “Hill International”, pati dhënë opinionin për dëmshpërblim prej 14 milionë eurosh.

Prokurori Valdet Gashi tha se opinionet e kompanisë ishin obliguese për Ministrinë.

“Kompania mbikëqyrëse e kontraktuar kishte obligime dhe të drejta në kuadër të kësaj kontrate. Përveç tjerash, e njëjta, referuar rregullave kontraktuale, kishte obligim të jepet opinionet e saj në implementim të projektit, duke përfshirë edhe aspektin financiar dhe këto opinione ishin obligative për autoritetin kontraktues, do të thotë Ministrinë e Infrastrukturës”, ka thënë Gashi/

Por i akuzuari Eset Berisha e kualifikoi “Hill International”-in si jokompetente për të vendosur mbi koston e dëmshpërblimit.

“Kjo kompani nuk është kompetente dhe as që ishte ndonjëherë kompetente për të vendosur lidhur me çështjet, siç ishte kërkesa për zgjatjen e afatit, koston e asociuar me të, pasi që këto dalin jashtë kornizave të kontratës së kompanisë mbikëqyrëse dhe të kontratës bazë”, ka thënë Berisha.

E, avokati i tij, Afrim Salihu, shprehu vërejtje për dëshminë e fillimtetorit të ish- ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Tha ajo përmbante deklarata të rrejshme dhe i kërkoi Prokurorisë së shtetit që të merret me të.

Seancat e radhës për rastin janë caktuar më 1, 4 dhe 5 dhjetor.