Dhjetë persona janë arrestuar të martën, me dyshimin se kanë kryer sulme kibernetike dhe kanë bërë mashtrime me çeqe e kartela. Vlera e dëmit që u është shkaktuar katër bankave është mbi 400 mijë euro.
Në komunikatën e Policisë thuhet se aksionit i ka paraprirë një periudhë hetimore disamujore dhe se me vendim të gjykatës kanë kryer kontrolle në lokacione të ndryshme.
“Hetuesit policorë kanë zhvilluar veprime hetimore për një periudhë disamujore, nën dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprimtari penale. Veprimet policore janë kryer në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Më 19.009.2023, pas grumbullimit të të dhënave dhe nën dyshimin se janë konsumuar disa vepra penale nga të dyshuarit, është zbatuar një urdhëresë nga gjykata për kontrolle në disa lokacione”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas njoftimit, kontrollet janë kryer në shtatë qytete të Kosovës.
“Policia e Kosovës, për të kompletuar të dhëna e dëshmi rreth rastit, ka kryer kontrolle në 14 lokacione në qytetet: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan. Gjatë operacionit policor të sotëm janë arrestuar 10 të dyshuar, nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit dhe hyrje në sisteme kompjuterike’”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të dyshuarit kanë kryer veprat “hyrje në sistemet kompjuterike" dhe “lëshimi i çeqeve pa mbulesë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”.
“Lidhur me këtë aksion, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar dhjetë (10) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nga aksioni janë siguruar edhe shumë prova.
“Aktualisht janë të dëmtuar katër (4) institucione financiare dhe vlera e dëmit e shkaktuar deri më tani tejkalon shumën prej 400.000€ (katërqind mijë euro). Po ashtu, nga ky aksion i realizuar janë sekuestruar prova të ndryshme të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, si dhe dobi pasurore e përfituar nga veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar Prokuroria.
Sipas njoftimit, gjatë aksionit janë sekuestruar kompjuterë, telefona celularë, kartela bankare, dokumente, si dhe tri armë e municion.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.