Dy persona janë ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se kanë keqtrajtuar një 3-vjecar në institucionin parashkollor “Gëzimi Ynë”, në Fushë-Kosovë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të premten, ndërsa pamjet e keqtrajtimit janë publikuar nga familja e vogëlushit të hënën në mbrëmje. Në video shihet teksa dy edukatore dhe një kuzhiniere tërheqin zvarrë fëmijën. Pastaj shihet teksa punëtoret e çerdhes e dërgojnë fëmijën në dhomë pa mbikëqyrje të kamerave.
Nëna e fëmijës, Fitore Geci ka thënë se rastin e ka zbuluar nga shenjat që hasi në trupin e të birit, pasi edukatoret u ankuan për hiperaktivitetin e tij. Ajo për shkak të gjendjes emocionale nuk mundi të japë më shumë detaje.
“Jam e stresuar emocionalisht, për më shumë flasin avokatët”, tha ajo.
Avokati i familjes, Nasim Hasani, ka treguar se fëmija ka pësuar trauma nga rasti.
“Hera e parë ka qenë, vlen të theksohet se fëmija ka trauma. Fëmija tregon se ka qenë i izoluar nga fëmijët e tjerë, për shkak të hiperaktivitetit që ka, mirëpo nuk kanë qenë veprimet e duhura që të izolohet fëmija nga bashkëmoshatarët e tij”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, nuk ka dyshim se stafi i çerdhes ka kryer vepër penale.
“Siç është parë edhe në video ashtu siç është postuar, pa dyshim punëtorët e kopshtit kanë kryer vepër penale. Për ne, përveçqë kanë kryer vepër penale, konsideroj që ish dashtë me raportu rastin, përkundër se drejtoria e kopshtit ka qenë e hapur për të bashkëpunuar për këtë rast”, ka thënë ai.
E Bajram Zogiani, avokat i njërës nga edukatoret, ka thënë se rasti është hiperbolizuar, pasi, sipas tij, veprimi i edukatores ishte për ta penguar 3-vjecarin që të dalë jashtë objektit të çerdhes.
“Unë i kam parë me pamje me të gjitha aty, është vetëm një ndalesë e cila i është bërë në mënyrë që të mos dalë jashtë, pasi që ai është në adaptim njëmujor, pasi është vendosur qe 15 ditë në çerdhe dhe nuk ka arritur ta përballojë vendosjen në çerdhe”, ka thënë ai.
Rasti ka aktivizuar edhe Inspektoratin e Arsimit. Pas inspektimit që ia bënë çerdhes në mëngjesin e së martës, inspektorë të arsimit nuk pranuan të japin detaje.
Për traumat që iu shkaktuan trevjeçarit nuk foli as drejtoresha e çerdhes, Sherife Ternava.
“Organet e drejtësisë janë duke u marrë me rastin”, ka thënë shkurt ajo.
E në Drejtori të Arsimit të Fushë-Kosovës kanë theksuar se po presin vendimin final nga organet e drejtësisë, për të ndërmarrë masa. Drejtori Fatlum Berisha ka refuzuar ta quajë dhunë veprimin e stafit të çerdhes.
“Po pretendohet që është dhunë, mirëpo unë nuk e kisha quajtë dhunë deri në momentin kur vërtetohet prej ekspertëve”, ka thënë ai. “Unë nuk jam ekspert ta cilësoj nëse është dhunë ose jo. Unë shumë qartë e thashë, i presim organet kompetente me një vendim final, ne si DKA do të marrim të gjitha masat konform ligjit”, ka deklaruar ai.
Pos këtij rasti, akuza ndaj edukatoreve të çerdhes për keqtrajtimin e fëmijës së saj me hiperaktivitet gjatë vitit të shkuar ka shprehur edhe një nënë tjetër. Mimoza Gjurkaj ka thënë se sjelljet e edukatoreve ndaj djalit të saj kanë qenë të tmerrshme.
“Tepër shqetësuese, kjo është monstruoze çka dinë ato me bë. Ato janë shty me një fëmijë pesëvjeçar, i cili është me hiperaktivitet. Madje kanë dashur edhe me përjashtu nga çerdhja”, ka thënë Gjurkaj.
Për rastin ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila paralajmëroi masa ndaj stafit të institucionit.
“Do t’i referojmë të gjitha masat që i përcakton ligji e që janë të definuara mjaftë qartësisht. Ne do t’i marrim në kohë rekorde të gjitha masat që na takon neve si Ministri, besoj që edhe Komuna dhe institucionet e tjera”, ka thënë Nagavci.
Ky nuk është rasti i vetëm i keqtrajtimit të fëmijëve nëpër çerdhe. Në shkurt ishte raportuar se në një çerdhe private në Mitrovicë, një 5-vjeçar është rrahur nga edukatorja.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.