Raportim në Kuvend i është kërkuar kryeministrit Albin Kurti, pas hollësive që shpalosi në një konferencë për media lidhur me takimin e 14 shtatorit.
Kurti është kritikuar nga partitë opozitare, derisa nga shoqëria civile kanë thënë se raportimin për zhvillimet në dialog nuk duhet ta kufizojë vetëm me mbajtjen e konferencave.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se mosraportimi i Kurtit në Kuvend tregon se ai i frikësohet opozitës.
“Se Albini i frikësohet opozitës fol vetë fakti që nuk po raporton në Kuvend. Klauzolat e nenet nuk i interesojnë askujt, mandatin e ke me i mbrojt interesat e vendit dhe mos me hup miq. As nuk je duke e mbrojt interesin dhe as miq tanimë nuk ke!”, ka vlerësuar Shoshi.
E deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, ka thënë se raportimi i kryeministrit para mediave ishte vajtim e dëshmi e paaftësisë së tij.
“Fatkeqësisht, Kurti i ka bërë dëm të madh Kosovës duke e degraduar dialogun nga: “Dialog për marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, në “Dialog për menaxhim të krizave”… Për herë të parë Kosova është e vetme në dialog karshi Serbisë. Fatkeqësisht, duket se Qeveria e Kosovës sot nuk e ka afër asnjë aleat për konsultime paraprake, siç ka ndodhur gjithmonë në procese negociatore të Kosovës me Serbinë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një reagimi, kanë thënë se kreu i ekzekutivit, zhvillimet në dialog duhet t’i shpalosë para deputetëve.
“Raportimi i Kryeministrit para Kuvendit përveç që është detyrë kushtetuese, është jetik për të mirëmbajtur një standard të qeverisjes demokratike dhe të përgjegjshme. Në këtë drejtim edhe subjektet politike opozitare duhet të ushtrojnë rolin e tyre parlamentar që të mbajnë llogaridhënës ekzekutivin, duke kërkuar raportime të rregullta të Kryeministrit rreth dialogut me Serbinë”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Në konferencën për media, të parën pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Albin Kurti ndau detaje nga zhvillimet në takimin e nivelit të lartë të zhvilluar më 14 shtator.
Ai akuzoi emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për anshmëri.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.