Zvarritje të lëndëve të politikanëve dhe dënime të ulëta për lëndët e korrupsionit ka identifikuar Instituti i Kosovës për Drejtësi në raportin e monitorimit gjatë vitit 2022. Në prezantimin e këtij raporti, hulumtuesit e IKD-së kanë treguar se veprat e vogla, si rasti i vjedhjes së mishit në vlerë 70 euro, janë dënuar ngjashëm sikurse ato të korrupsionit
Joefikasitet dhe dënime të ulëta për rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të mosdeklarimit të pasurisë ka identifikuar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në divizionet penale të gjykatave themelore në nivel të vendit.
Bazuar në konstatimin e nxjerrë nga IKD-ja në raportin e publikuar të enjten të monitorimit për departamentet e përgjithshme të divizioneve penale, lëndët që lidhen me politikanët janë zvarritur me mosmbajtje të seancave. Në mesin e këtyre rasteve, në IKD i kanë numëruar ato për ministrin aktual të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj.
“Në rastet e politikanëve kemi zvarritje përtej zvarritjes. Pavarësisht faktit se kemi zvarritje në të gjitha lëndët, kur bëhet fjalë për trajtimin e rasteve të politikanëve që ndërlidhen, për shembull, me veprat penale të hedhjes së gazit lotsjellës apo edhe veprave të tjera penale, kemi pasur zvarritje të asaj natyre që ka qenë më e gjatë sesa në rastet e tjera. Këtu, për shembull, mund ta përmendim rastin e ish-ministrit, tani deputet Pal Lekaj, rastin e deputetit Valon Ramadani, rastin e Time Kadrijajt e të tjerë. Për shkak të zvarritjes së kësaj natyre kemi hasur në parashkrim të këtyre rasteve”, ka thënë Gzim Sala, hulumtues i lartë në IKD.
Problematike, në këtë organizatë të shoqërisë civile i kanë kualifikuar edhe dënimet e ulëta për veprat penale që bëjnë pjesë te kapitulli i korrupsionit. Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas IKD-së, ka dhënë dënim prej 6 muajsh burgim me kusht e 150 euro gjobë për një rast të vjedhjes së mishit të terur me vlerë prej 70 eurosh. I ngjashëm ka qenë edhe dënimi për një rast të mosraportimit të pasurisë: 6 muaj burgim me kusht e 500 euro gjobë.
“Të tilla për shembull janë rastet që është proceduar penalisht për një vjedhje të një shisheje me alkool me vlerë prej 21 eurosh apo edhe rasti tjetër kur është proceduar për një vjedhje të mishit të terur në një market që ka vlerën prej 70 eurosh. Mirëpo përpos që kemi pasur aktakuzë, në rastin konkret kemi pasur aktakuzë me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 150 euro gjobë me kusht. Nëse e shohim dënimin me burgim me kusht të shqiptuar në rastin konkret është ekuivalent sikurse në raste të tjera të korrupsionit, për të cilat janë shqiptuar dënime të ngjashme”, ka theksuar Shala.
Te departamentet e përgjithshme të prokurorive themelore, IKD-ja ka gjetur se është ulur niveli i zgjidhjes së lëndëve gjatë vitit 2022 në raport me vitin 2021. Gjyqësori ndërkaq është kritikuar edhe për duplifikim të rrethanave lehtësuese për të pandehurit. Në 13 aktgjykime është vërejtur se gjykatat i llogarisin si rrethana të ndryshme lehtësuese për të pandehurit pendimin, kërkimfaljen, shprehjen e keqardhjes dhe gatishmërinë për ta kompensuar viktimën.
Sipas IKD-së, në bazë të udhëzuesit të Supremes për Politikën Ndëshkimore, të gjitha ato duhet të llogariten si një rrethanë e vetme.