Një ditë pasi emisari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se dorëheqja e kryetarëve në veri është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për mbajtjen e zgjedhjeve atje, ministri Elbert Krasniqi ka thënë se kjo kërkesë është e Serbisë. Sipas Krasniqit, zgjedhjet në veri mund të bëhen vetëm nëse një gjë të tillë e kërkojnë qytetarët e komunave përkatëse përmes peticionit
Çfarëdo kërkese tjetër për largimin e kryetarëve në veri, përveç me peticion, është kërkesë e Serbisë dhe si e tillë nuk do adresohet, ka thënë ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Sipas tij, iniciativa e qytetarëve për shkarkim të kryetrarëve është një lloj garancie për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Largimi i kryetarëve të komunës është proces demokratik, dhe gjithçka tjetër që nuk është kërkesë e qytetarëve atje, as e kryetarëve të komunave, janë kërkesa të Beogradit dhe ne nuk jemi këtu që të përkujdesemi për kërkesat e Beogradit, për shkak se ato nuk janë demokratike, ato nuk janë në të mirën e qytetarëve as serbë në Kosovë”, ka theksuar Krasniqi.
Një ditë më parë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka deklaruar se rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhje të reja në veri është përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë.
I pyetur për këtë deklaratë të Escobarit, ministri Krasniqi ka theksuar se situata në veri është përshkallëzuar pikërisht nga një kërkesë e tillë, por që ajo është bërë deri më tash nga Serbia.
“Unë besoj që na në këtë situatë në veri të vendit, me dorëheqjen e kryetarëve jemi për shkak se Beogradi ka kërkuar nga ish-kryetarët që të japin dorëheqje dhe të krijojnë këtë situatë në të cilën ata mund të kalkulojnë në gjëra të tjera”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi është shprehur i bindur se me hartimin e udhëzimit administrativ për organizimin e peticionit, si dhe me zvogëlimin e numrit të policëve në veri për 50 për qind, është përmbushur dakordimi i arritur në Bratislavë.
Për shkak të veprimeve të ndërmarra në katër komunat veriore, Kosovës i janë vënë masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.
Shpallja e zgjedhjeve në katër komunat veriore dhe zvogëlimi i pranisë policore në këtë pjesë të vendit ishin në mesin e pikave për të cilat Kosova dhe BE-ja u dakorduan, si rrugë drejt shtensionimit të situatës.
E derisa autoritetet kosovare pretendojnë se i kanë përmbushur zotimet dhe kërkojnë heqjen e masave ndëshkuese, një lëvizje e tillë nuk është përmendur nga BE-ja.