LAJMET E MBRËMJES

Lajçaku shpeshton takimet me liderët në prag të rinisjes së dialogut, paralajmëron takime me Kurtin e Vuçiqin

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka bërë thirrje për një Evropë të guximshme teksa ka postuar ndër të tjera, edhe fotografi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në prag të shtatorit, kur pritet rinisje e dialogut në Bruksel, Lajçak ka paralajmëruar takime me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Ndërveprimin me liderët e Kosovës dhe të Serbisë e ka shtuar së fundi Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Nga Forumin Evropian Alpbach, ku ishte folëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai shpërndau një postim me ton pozitive.

“Filloi stina e vjeshtës me dy ditë të bisedave të pasura se çfarë do të thotë për Evropën të jetë e guximshme. Ishte mirë të diskutojmë me ekspertë, kolegë, miq dhe më e rëndësishmja, me të rinjtë tanë në Forumin Evropian të Alpbachut këtë vit”, ka shkruar Lajçak.

Në shtator është paralajmëruar rifillim i dialogut Kosovë-Serbi.

Lajçaku ka thënë se do të takohet me liderët e Kosovës e Serbisë edhe në Bled të Sllovenisë.

Të dielën ai u takua me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, siç tha për t’i përgatitur e forcuar përpjekjet për muajt e ardhshëm.

“Derisa ritmi në Bruksel u ngadalësua gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk u zhdukën. Një fushë e veçantë që ka mbetur lart në agjendën time është situata në veri të Kosovës. Para rikthimit tradicional në Bruksel, do të udhëtoj për në Alpbach, Bled dhe Beograd, ku do t’i takoj kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, por edhe me një numër të madh partnerësh, miqsh e ekspertësh lidhur me Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet politike globale”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Forumin Strategjik të Bledit, organizim ky i përvitshëm i Sllovenisë e Bashkimit Evropian, ku marrin pjesë liderë të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka shkruar në Twitter se ka bërë thirrje për qasje të bazuar në vlera “të fokusuara në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me ambasadorin rus, Bocan Harçenko.