Qëndrim ndryshe prej atij që është deklaruar nga institucionet shtetërore, kanë shprehur të premten në shoqërinë civile lidhur me procesin e zgjedhjeve në veri. Teksa nga autoritetet, peticioni për largimin e kryetarëve është kualifikuar si zgjidhja më e mirë drejt zgjedhjeve, në Institutin Demokratik, organizatë kjo që merret me proceset zgjedhore, thanë se dorëheqja e tyre mundëson proces më të shpejtë e pa kosto të dyfishtë
Dorëheqja e kryetarëve në katër komunat veriore është kualifikuar si zgjidhje për organizimin e zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Kjo organizatë e shoqërisë civile, që merret me monitorimin e proceseve zgjedhore, ka bërë të ditur të premten se në këtë mënyrë do të mundësohej një proces më i shpejtë zgjedhor.
“Me qëllim që t’i hapet rrugë shtensionimit të plotë, KDI-ja vlerëson që kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim. Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë”, ka vlerësuar KDI-ja.
Por për autoritetet shtetërore, dorëheqja e kryetarëve në veri nuk është opsion.
Në Presidencë dhe në Qeveri kanë insistuar në largimin e kryetarëve nëpërmjet peticionit.
“Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’ua ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë”ka theksuar kryeministri Kurti tw enjten.
Për organizimin e procesit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka nisur procedurat për hartimin e udhëzimit administrative.
Por, në KDI thanë se ky veprim nuk është i mjaftueshëm.
“KDI-ja rikujton që legjislacioni ekzistues sekondar nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për largimin e kryetarëve, meqë nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit. As iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e KQZ-së – si bartëse e procesit të votimit. Megjithatë, legjislacioni sekondar nuk mund të tejkalojë përcaktimet ligjore të parapara me ligjin në fuqi”, thuhet në komunikatën e KDI-së..
Mbajtja e zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan pas verës është një nga zotimet që Kosova ka bërë në kuadër të dakordimit të arritur në Bratislavë, në funksionim të shtensionimit të situatës në veri.