Kryesia e Kuvendit e ka nisur javën me një mbledhje të dështuar, ku në mungesë të opozitës mungoi vendimmarrja për caktimin e seancës së radhës. Derisa deputetë të partisë në pushtet e kanë quajtur të papranueshme mungesën e opozitës kur në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, ata nga partitë opozitare thonë se nuk do t’i kontribuojnë izolimit ndërkombëtar të vendit. Pati edhe një kërkesë nga PDK-ja, që Kuvendi të shpërndahet sa më shpejt
Nga opozita kanë shprehur synimin për ta shpërndarë legjislaturën aktuale të Kuvendit, kur ka mbetur më pak se një muaj deri në përfundimin e sesionit pranveror. Organi ligjvënës e ka nisur javën me mbledhjen e dështuar të Kryesisë për shkak të mungesës së kuorumit. Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, disa orë më vonë nuk morën pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat kërkohen dy të tretat.
Por ligjvënës të LDK-së morën pjesë në votimin e anëtarit finlandez në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar dakordim politik mes partive parlamentare në Kuvend për organizimin e zgjedhjeve të reja.
“Ky kuvend mandatin e juaj që nuk i punojnë as pajisjet, realisht s’duhet me vazhdu punën. Unë jam duke iu ftuar publikisht edhe si deputet, por edhe si kryetar i PDK-së, të merremi vesh, të bëjmë një mocion dhe të shpërndajmë Kuvendin e Kosovës. Kjo legjislaturë nuk është në gjendje me kalu asgjë. Ju jeni thirr në 50 përqindësh, shumicë parlamentare dhe nuk jeni në gjendje me kalu ligje, mos të flasim për marrëveshje ndërkombëtare”, ka theksuar Krasniqi.
Por kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ironizuar duke përmendur detyrat që u takojnë deputetëve deri në shpërndarjen e Kuvendit. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe shumica parlamentare të votojë pro rrëzimit të Qeverisë.
“Derisa të ndodh kjo, provojmë të votojnë ndonjë projektligj eventualisht. Mos më detyroni. Kjo është arsyeja që sot jeni ardh 90 deputetë a ? Pasi me dy të tretat, mos i provokoni mazhorancës se këta votojnë me shku në zgjedhje. Nesër zgjedhjet nuk munden me ndodh ato e kanë afatin. A po ju kujtohet parvjet me një emision çka iu pata thanë”, ka deklaruar Konjufca.
Paraprakisht në mungesë të dy nënkryetarëve të opozitës nga PDK-ja e LDK-ja, Kryesia nuk ka mundur ta caktojë seancën e radhës. Me gjithë bojkotin e partive opozitare, zyrtarë të partisë në pushtet kanë insistuar se e kanë shumicën e thjeshtë për votimin e ligjeve.
“Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, është fakt i ditur se pa qenë 80 deputetë, ato nuk mund të hedhen në votim. Prandaj si të tilla mbesin në obligim dhe përgjegjësi të opozitës. Arsyet siç i keni parë nuk kanë qenë të artikuluara në formën që mund të ketë qartësi se kur mund të kryhet kjo. Fillimisht kanë mohuar zgjedhjet, pastaj kanë kërkuar zgjedhjet. Ne i konsiderojmë totalisht të pa pranueshme dhe të paarsyeshme këto kërkesa”, ka theksuar shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka quajtur të padobishme për vendin vazhdimësinë e kësaj qeverie. Ai ka paralajmëruar se do t’i përdorin të gjitha mjetet për ta pamundësuar vazhdimësinë e kësaj legjislature, por nuk ka treguar nëse kjo nënkupton edhe pengimin e mbarëvajtjes së seancave.