Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak takuan kryetarët e partive opozitare. Kryetari i PDK-së tha se liderët shtetërorë janë duke e dëmtuar Kosovën në raportet e saj ndërkombëtare, e ai i LDK-së paralajmëroi pasoja që mund t’i vijnë shtetit, në rast se autoritetet nuk u binden kërkesave të SHBA-së dhe BE-së.
Kryetarët e partive kryesore në opozitë alarmuan pas takimit me emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, se Kosova ndodhet në moment kritik.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se krerët shtetërorë me veprimet e ndërmarra në veri, pa koordinim me aleatët, janë duke e dëmtuar Kosovën në raportet e saj ndërkombëtare.
“Asnjëherë më shumë nuk kam parë ndonjë shqetësim të këtij niveli, të kësaj natyre, nga ana e partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës. Vërtet ndjenjë aspak e mirë, aspak e lehtë që të dëgjosh SHBA-në dhe përfaqësuesin e BE-së duke shprehur këtë zhgënjim me Qeverinë e Kosovës, e cila e ka obligim që t’i forcojë raportet tona e jo t’i dëmtojë ato”, tha Krasniqi.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi se kaq shqetësuese situata nuk ka qenë në tri dekadat e fundit të përpjekjes për liri e pavarësi. Ai foli edhe për pasoja që mund t’i vijnë shtetit, në rast se autoritetet nuk iu binden kërkesave të SHBA-së dhe BE-së.
“Në këtë fazë, Kosovës, qytetarëve tanë, republikës sonë i mbetet të shohë pasojat që mund të vijnë nga një delegacion i tillë, në radhë të parë nga BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja. Një gjendje të tillë, si LDK e kemi të vështirë ta pranojmë, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve në Kuvend veprimet tona do të jenë publike”, tha Abdixhiku.
Krasniqi e Abdixhiku kërkuan reflektim nga ana e kryeministrit Albin Kurti e reagim nga presidentja Vjosa Osmani.
“Populli i ka zgjedhë këta njerëz për me i qeverisë, për me i zgjidhë problemet, e jo me i shkaktu problemet. Fatkeqësisht në këto dy vjet ne kemi vetëm probleme, kriza të shkaktuara nga kryeministri mbështetur edhe nga presidentja”, tha Krasniqi.
“Qytetarët e Kosovës të kuptojnë përtej populizmit, rrugën që kryeministri Kurti po e fut Kosovën. Po shpresoj që të reflektojë i njëjti dhe sërish po i bëj thirrje presidentes që të jetë më e zëshme, më e qartë në këtë moment kritik për Republikën e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Në takim me emisarët Escobar e Lajçak ishte edhe Ramush Haradinaj, i cili drejton AAK-në, parti që ka ndërmarrë nismën për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ai nuk dha ndonjë qëndrim pas takimit, e Krasniqi dhe Abdixhiku thanë se opozita nuk ka vota të mjaftueshme për të kaluar me sukses mocionin.