Izmir Zeqiri është betuar të enjten në Çabër, në objektin ku ka punuar edhe më herët si zyrtar komunal.
Mandatin kryetari i ri i Zubin-Potokut e mori në Zyrën për Komunitete dhe Kthim, prej ku ai më herët lëshonte certifikata. Ai u premtoi banorëve serbë të Komunës, që janë shumicë, se do t’i përfillë kërkesat e tyre dhe i ftoi për bashkëpunim.
“Uroj që ne tani e tutje të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë duke u ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin-Potokut pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet, të gjitha kërkesat, t'i plotësojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve duke përfshirë sidomos komunitetin shumicë serb”, tha Zeqiri.
Teksa ai u betua jashtë objektit kryesor të Komunës, puna e institucioneve paralele të Serbisë që shfrytëzojnë të njëjtën hapësirë vazhdoi gjatë së enjtes.
Zeqiri tha se synon të kthehet aty dhe se e ka për qëllim që shumicën e udhëheqësve të drejtorive komunale t’i ketë profesionistë nga komuniteti serb.
“Nuk e shoh aq të rëndësishme se ku mbahet betimi. Unë e shoh të rëndësishme që së shpejti do të jemi në posedim të të gjitha atyre zyrave dhe të gjitha dikasteret do të drejtohen me ligjet e Republikës së Kosovës…Jemi në pritje dhe një kohë të shkurtër do të presim, do të ofertojmë. Ndoshta procesin zgjedhor e kanë bojkotuar, mirëpo ne jemi të hapur sikur të ishim bashkë të votuar, kështu që uroj që të kemi në kabinetin tim shumicën e drejtimit të dikastereve ta drejtojnë profesionistë të shumicës serbe, ashtu siç i kemi raportet etnike”, deklaroi ai.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë në disa raste se kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe në veri “duhet të kenë rol administrativ, e jo politik” për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët. Mirëpo Zeqiri u shpreh se mandati i tij është i plotë dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.