Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është deklaruar i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë për sulm, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai akuzohet se e ka sulmuar punonjësin Adnon Berisha më 2021, në kohën e masave kufizuese të COVID-19.
Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ai e sulmoi Berishën, meqë nuk kishte vënë maskë teksa ia shërbeu kafen.
“Jo, se s’ka vepër (penale v.j)”, u përgjigj Kurteshi në pyetjet e gjyqtarit Sabit Sadikaj nëse e ndihet apo jo fajtor.
Pas deklarimit, gjyqtari Sadikaj ia dha 30 ditë kohë Kurteshit për të kundërshtuar provat e aktakuzën.
“Keni të drejtë të parashtroni kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hedhje të aktakuzës. Nëse brenda këtij afati ligjor paraqitni kërkesë, gjykata këtë kërkesë e shqyrton jashtë seancës dhe merr vendim, vendos lidhur me këtë kërkesë. Nëse e njëjta nuk paraqitet, konsiderohet që keni hequr dorë dhe caktohet seanca e shqyrtimit kryesor”, tha Sadikaj.
Gjyqtari po ashtu e pyeti të dëmtuarin Berisha nëse e ndien veten të dëmtuar.
“A mendoni se ju është bërë dëm? Keni të drejtë të parashtroni kërkesë për kompensim dëmi. A parashtroni apo jo?”, pyeti Sadikaj.
E Adnon Berisha u shpreh se do t’i kërkojë të drejtat e tij gjatë gjykimit dhe se vazhdon ta ndiejë veten të dëmtuar.
Në këtë rast ka dështuar ndërmjetësimi dhe për pasojë shqyrtimi i lëndës është kthyer në pikën zero, atë të shqyrtimit fillestar. Në aktakuzën e dhjetorit të 2021-tës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thuhet se më 25 gusht të atij viti, Berisha i shërbeu kafe dhe me atë rast Kurteshi e pyeti “ku e ke maskën”. E pasi nuk i dha përgjigje, Kurteshi e shtyu nga mbrapa me dy duart, duke i thënë “dil jashtë”.
Kurteshi e ka drejtuar Institucionin e Avokatit të Popullit në periudhën 2009-2015. Më pas ai aderoi në Vetëvendosje duke marrë edhe mandat deputeti që e mbajti dy vjet (2017-2019).
Në zgjedhjet e tetorit të 2019-s ai nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet, por Vetëvendosja ia besoi pozitën e anëtarit në KQZ. Këtë pozitë e mban nga 6 shkurti 2020.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.