Pavarësisht kritikave nga BE-ja për vendimin e qeverisë për lirimin e ekipit menaxhues për Asociacionin, kryeministri Kurti tha të dielën, se ai ishte i drejtë. Sipas Kurtit, ekipi menaxhues e ka kryer misionin e tij dhe më nuk ka arsye të dëgjohet. Ai ka paralajmëruar javëve në vazhdim takime me ndërmjetësit evropianë për çështjen e Asociacionit dhe temave të tjera
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të dielën se, me rastin e prezantimit të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij Ekipi menaxhues, që sipas marrëveshjes së Brukselit, është përgjegjës për përgatitjet rreth formimit të këtij asociacioni.
Pavarësisht kritikave nga Bashkimi Evropian, Kurti u shpreh se ky ekip nuk ka më arsye të dëgjohet.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin, edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues, që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, ka thënë ai, tek ka arsyetuar shkarkimin e përbërjes së kësaj trupe.
Ekipi menaxhues i përbërë nga anëtarë serbë, prezantoi më 2 maj në Bruksel një draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai u hodh poshtë nga institucionet e Kosovës, nën arsyetimin se përmbajtja e tij ishte antikushtetuese.
Drafti ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj. Në të, Asociacionit i janë përshkruar kompetenca, si: të miratojë vendime të Kuvendit e rregullore; ta mbikëqyrë zbatimin e ligjeve; t’i rregullojë zgjedhjet; të bëjë riorganizimin dhe funksionimin e organeve, agjencive, ndërmarrjeve publike; të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore; të propozojë referendume; të vendosë për huamarrjen financiare; të miratojë buxhetin dhe bilancin vjetor; të themelojë organizata, agjenci, ndërmarrje dhe institucione publike, fonde, institucione financiare; dhe ta mbikëqyrë punën e tyre.
Draftstatuti, gjithashtu, parashikon që Asociacioni t’i regjistrojë votuesit, të mbajë regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.
Neni 15 përshkruan se si Asociacioni do të bëjë një përmbledhje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, kujdesit shëndetësor, mirëqenies sociale dhe planifikimit urban dhe rural.
Draftstatuti, gjithashtu, parasheh që Asociacioni ta emërojë komandantin rajonal të policisë për katër komunat në veri.
Ai parasheh që Kuvendi i Asociacionit mund të shpallë referendum me iniciativën e tij, për çështje brenda kompetencave të veta, ndërsa është i obliguar të shpallë referendum me kërkesë të 10 për qind të votuesve që banojnë në territorin e komuniteteve pjesëtare të Asociacionit.
Disa orë pas prezantimit të draftstatutit me këtë përmbajtje, përbërja e ekipit menaxhues është shkarkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Kryeministri Kurti ka paralajmëruar të dielën takime të radhës në javët në vazhdim për Asociacionin.
“Besoj se do të jetë një takim yni me ndërmjetësit. Besoj se kjo do të ndodhë gjatë këtij muaji. Pas këtij takimi do të mund të shohim cilët do të jenë hapat e tjerë përpara dhe këta hapa do të jenë vetëm për zbatimin dhe sekuencimin e zbatimit”, ka thënë Kurti.
Gjatë takimit në Bruksel kryeministri Kurti ka prezantuar një dokument dyfaqësh, si vizion për zbatimin e pikës që lidhet me Asociacionin. Përpos që në të theksohet se Asociacioni duhet të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, sipas tij, ai duhet t’u ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka theksuar se nuk do të lejojë që këtij mekanizmi t’i përshkruhen në statut kompetenca ekzekutive dhe jokushtetuese.
Kryeministri Kurti ka thënë se ndërmjetësuesit nga BE-ja nuk kanë dhënë ndonjë vlerësim për vizionin e paraqitur, ndërkaq pala serbe as që ka pranuar ta marrë për lexim.
“Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, e kemi lexuar propozimin e tyre dhe e kemi dhënë mendimin tonë mospajtues, ndërsa për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësit. Ky draftvizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe. Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është vendi që ne do të mund të marrim frymëzimin tonë. Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, konsiderojmë që do të duhet ta pranojë edhe me ne”, ka thënë kryeministri Kurti. “Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, as t’ua shkelë të drejtat as atyre, as asnjë minoriteti e as një qytetari të republikës. Në veçanti për nenin 7 të marrëveshjes bazë kam ofruar një draftvizion që shpresoj se do të marr një vlerësim nga ndërmjetësit evropianë”.
Me marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel dhe me dakordimin për planin e zbatimit më 18 mars në Ohër, Kurti është pajtuar për themelimin e Asociacionit, që ai e ka quajtur “vetëmenaxhim i komunitetit serb”.