Në orët e hershme të së shtunës, në rrugën “Kral Petar” afër stacionit të Policisë në Mitrovicë të Veriut, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektrike, ku ishin të vendosura kamera të sigurisë. Në Policinë e Kosovës kanë bërë të ditur se rasti po trajtohet si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”
Copëza të xhamit të thyer, shtylla të dëmtuara elektrike e të rrethuar me shirita të policisë janë pasojat e dukshme që kanë mbetur në vendin, ku të shtunën në mëngjes ka ndodhur një shpërthim në rrugën “Kral Petar” në Mitrovicën e Veriut.
Si pasojë e shpërthimit, i cili ka ndodhur në afërsi të stacionit të Policisë dhe të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kanë mbetur të dëmtuara një veturë private dhe një shtyllë elektrike, ku ishin të vendosura tri kamera të sigurisë. Në Policinë e Kosovës kanë thënë se rasti është duke u trajtuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Sot, pak para orës 03:00 në mëngjes, në rrugën 'Kral Petar' në Mitrovicën e Veriut, ka ndodhur një shpërthim. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se një shtyllë elektrike dhe një veturë janë dëmtuar. Policia po e trajton rastin si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në veri.
Vetura e dëmtuar, me targë të lëshuar nga Serbia me akronimin KM të qytetit të Mitrovicës, është larguar nga vendi i ngjarjes për t’u vendosur përbrenda oborrit të stacionit policor, ku ka mbetur derisa pronari ka dhënë deklaratë për Policinë.
Shpërthimin e së shtunës e ka dënuar Presidenca. Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, e ka kualifikuar rastin si një sulm tjetër kriminal të kryer nga strukturat ilegale serbe në veri.
“Një tjetër sulm kriminal në Mitrovicën e Veriut. Strukturat kriminale dhe ilegale, të financuara nga Serbia, po e pengojnë sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Ky duket të jetë një reagim ndaj aksionit të institucioneve të Kosovës për heqjen e kamerave ilegale të vëzhgimit të vendosura nga Serbia, i cili do të vazhdojë”, ka shkruar ai në Twitter.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka njoftuar gjatë së enjtes se i ka konfiskuar kamerat ilegale në Komunën e Shtërpcës, të cilat kanë qenë të vendosura në kundërshtim me kriteret ligjore në hapësirat publike. Ky institucion ka paralajmëruar se do t’i trajtojë të gjitha shkeljet e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me qëllim të sigurimit të privatësisë së qytetarëve.
Në fund të vitit të shkuar, është raportuar se Kosova rrezikon të kthehet në laborator të pajisjeve kineze të gjurmimit, të futura nëpërmjet Serbisë. Beogradi fshehtas ka financuar përpjekjet për të instaluar kamera mbikëqyrëse dhe të jashtëligjshme kineze në Kosovë, ka mësuar Shërbimi i Ballkanit i Radio Evropës së Lirë.
Autoritetet paralele serbe në Kosovë, në fundvit, kanë nënshkruar kontratë prej dhjetëra mijëra eurosh për të blerë disa kamera të sigurisë, incizues digjitalë dhe pajisje të tjera nga kompani “Zhejiang Dahua Technologies”, që është pjesë e listës së zezë amerikane, për t’i monitoruar shkollat në disa vende, sipas dokumenteve të siguruara. Aty theksohet se një zyrë e Qeverisë serbe, që kujdeset për raportet me komunat me shumicë serbe, ka siguruar fondin.