LAJMET E MBRËMJES

IKD: Transparenca e përfaqësimi i pabarabartë gjinor, ngecjet kryesore në KGJK e KPK

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se gjatë monitorimit të punës së KGJK-së dhe të Këshillit Prokurorial (KPK) për vitin 2022, është konstatuar se nga 419 gjyqtarët që aktualisht janë të përfshirë në sistemin gjyqësor, 273 janë burra (65 për qind), ndërsa 146 gra (35 për qind), prej të cilave vetëm 20 për qind e tyre janë në pozita udhëheqëse, përderisa në sistemin prokurorial janë vetëm 3 për qind

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ende nuk ka arritur që t’i miratojë të gjitha aktet normative të parapara me planin e punës dhe me Ligjin për KGJK-në, ndonëse ka shënuar progres në miratimin e akteve nënligjore në krahasim me dy vjetët paraprakë, kanë thënë të enjten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në publikimin e raporteve “Keqadministrimi i sistemit prokurorial” dhe “Sfidat në administrimin e gjyqësorit”, përfaqësues të IKD-së kanë theksuar se në sistemin gjyqësor vazhdon të përbëjë problematikë përfaqësimi i pabarabartë gjinor.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se gjatë monitorimit të punës së KGJK-së dhe të Këshillit Prokurorial (KPK) për vitin 2022, është konstatuar se nga 419 gjyqtarët që aktualisht janë të përfshirë në sistemin gjyqësor, 273 janë burra (65 për qind), ndërsa 146 gra (35 për qind), prej të cilave vetëm 20 për qind e tyre janë në pozita udhëheqëse, përderisa në sistemin prokurorial janë vetëm 3 për qind.

“Në të gjithë sistemin gjyqësor gratë janë të përfaqësuara me rreth 35 për qind, derisa në Këshillin Gjyqësor të Kosovës me rreth 36 për qind. Mirëpo as përfaqësimi i grave në sistemin gjyqësor nuk është reflektuar edhe me përqindjen e tyre në pozita udhëheqëse të gjykatave, kjo pasi nga vetë gjykatat në vend, duke përfshirë gjykatat themelore, ato komerciale, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme, vetëm dy gjykata udhëhiqen nga gratë“, ka thënë Gzim Shala, hulumtues në IKD.

Shala ka numëruar transparencën si një prej ngecjeve më të madh të KGJK-së për vitin 2022.

“Sfidë e konsiderueshme mbetet trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike, që një numër i konsiderueshëm i kërkesave të parashtruara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nuk ka marrë përgjigje ashtu siç përcaktohet në Ligjin për qasje në dokumente publike. Në këtë drejtim, nga 417 kërkesa për informata dhe qasje në dokumente publike të adresuara nga IKD-ja në KGJK dhe gjykatat në Kosovë, janë pranuar 223 përgjigje pozitive apo rreth 54 për qind, 31 përgjigje negative dhe 163 kërkesa kanë mbetur pa përgjigje. Vetëm në KGJK, IKD-ja gjatë kësaj periudhe ka parashtruar 59 kërkesa të tilla, nga të cilat, në 23 raste (40 për qind) ka pranuar përgjigje pozitive, në 3 raste (5 për qind) negative dhe 33 kërkesa (55 për qind) kanë mbetur pa përgjigje”, ka thënë Shala.

Lavdim Mekshana, hulumtues në IKD, ka theksuar se KPK-ja nuk ka shënuar progres në administrimin e sistemit prokurorial në kuptim të transparencës, llogaridhënies dhe procesit të kontestuar të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

“Nga 138 kërkesa për qasje në informata dhe dokumente publike të adresuara në sistemin prokurorial, IKD-ja ka pranuar 68 përgjigje pozitive (50 për qind), 16 përgjigje negative (10 për qind), ndërsa 54 sosh (40 për qind) kanë mbetur pa përgjigje. Vetëm në KPK, IKD-ja gjatë kësaj periudhe ka parashtruar 38 kërkesa të tilla, nga të cilat, në 20 raste (52 për qind) ka pranuar përgjigje pozitive, në 4 raste (10 për qind) ka pranuar përgjigje negative, ndërsa në 14 kërkesa të tjera (36 për qind) KPK-ja nuk ishte përgjigjur fare”, ka thënë ai.

Sipas Makshanës, KPK-ja gjatë vitit 2022 nuk ka treguar efikasitet të lartë në miratimin e akteve sekondare në krahasim me dy vjetët paraprakë dhe se fenomeni negativ që e ka shoqëruar KPK-në gjatë vitit të shkuar ishte dështimi për t’i miratuar aktet nënligjore të përcaktuara me planin e saj të punës.

Ai ka thënë se KPK-ja më 2022 e ka vazhduar “avazin e vjetër”, duke mos arritur që t’i miratojë as aktet nënligjore që rrjedhin nga Ligji i ri për KPK-në, ani se kanë kaluar afro katër vjet që nga hyrja në fuqi e tij.

E hulumtuesja Eranda Zekaj përmendi disa nga sfidat me të cilat po përballet KPK-ja.

“Sfida të tjera të KPK-së hasim edhe lidhur me ligjin, i hasim edhe sa i përket numrit të prokurorëve në Prokurorinë e Apelit, e në anën tjetër rritjen e numrit të mbrojtësve të viktimave dhe domosdoshmërinë për rritjen e numrit të prokurorëve në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Raportet janë bazuar në monitorimin e drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD-ja i ka bërë punës së KGJK-së dhe KPK-së gjatë vitit të shkuar.