Akuzat e bëra nga ZPS-ja në deklaratën hyrëse janë mohuar nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata kanë thënë se ZPS-ja ka dështuar të paraqesë fakte. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhje për viktimat e të gjitha kombësive, derisa ka shtuar se në këtë proces është vërtetuar së në Kosovë nuk ka pasur trafikim organesh. E ish-shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se beson në pafajësinë e tyre duke thënë se nuk i frikësohet drejtësisë
Në ditën e dytë të gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, janë dhënë deklaratat e para të mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi, ish-kryeaparlamentarit Veseli dhe ish-deputetit të VV-së, Selimi.
Për dallim nga Thaçi e Selimi, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli nuk ka bërë deklaratë hyrëse.
Ish-presidenti Thaçi, ka thënë se është tërësisht i pafajshëm dhe se i vjen keq për të gjitha viktimat.
Ai ka deklaruar se më këtë proces është vërtetuar se nuk ka pasur trafikim organesh e nuk ka ekzistuar shtëpia e verdhë. Ka theksuar se më këtë i është hequr një re e zezë.
Ka shtuar se më këtë proces do të vërtetohet pafajësia e tij.
“Kur raporti i Dick Martyt para 13 vjetësh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë”, tha Thaçi.
Ndërsa ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, deklaroi se nuk ka bëjë asgjë me veprimet e pretenduara në këtë aktakuzë.
Ka theksuar se nuk frikësohet nga drejtësia, por nga padrejtësia.
“Unë besoj që në fund do të vërtetohet pafajësia ime. Të gjithë së bashku që jemi këtu, pavarësisht dallimeve politike që mund t’i kemi pasur, do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së, se jemi të pafajshëm”, tha Selimi.
Ndërsa avokatët mbrojtës të tyre në deklaratën hyrëse, përveç që kanë mohuar akuzat ndaj klientëve të tyre kanë thënë se ZPS-ja nuk ka ofruar asnjë fakt se ata ishin pjesë e grupit kriminal të organizuar.
Avokatët po ashtu kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte organizim siç pretendon Prokuroria.
Sipas tyre Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kishte kontroll mbi ushtarët në mbarë Kosovën.
“ZPS dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Të nderuar gjykatës, ju parashtroj se kjo është shumë larg së vërtetës. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime, si një prej udhëheqësve politikë të UÇK-së, Hashim Thaçi e dinte se suksesi i lëvizjes çlirimtare të Kosovës varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga SHBA-të. Shumë herët në fillimet e këtyre zhvillimeve të viteve ‘98 SHBA-ja i ofroi mbështetje UÇK-së sipas disa kushteve asnjë sulm kundër civilëve asnjë mbështetje nga grupet fundamentaliste islamike e të tjera, asnjë financim nga trafikimi i lëndëve narkotike të paligjshme dhe asnjë veprim jashtë territorit të Kosovës. Kishte motivin për të mos u angazhuar në ndërmarrjen kriminale të përbashkët të përshkruar në aktakuzë, në mënyrë që të mos rrezikonte mbështetjen nga SHBA”, tha avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
“Dëshmitar pas dëshmitari në proceset e mëparshme të Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi e kanë përshkruar strukturën e pushtetit në UÇK si një strukturë që në thelb ishte horizontale dhe jo vertikale ku komandantët e zonave, madje edhe komandantët lokalë ushtronin nivele shumë të larta autonomie”, tha avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
“Siç do ta tregojnë provat në dy vjetët e ardhshëm nëse ndonjëra prej veprave penale të përshkruara në periudhën e aktakuzës kanë ndodhur ajo përbën një ngjarje të izoluar, të rastësishme kundër individëve të caktuar dhe se z. Selimi thjesht s'ka pasur lidhje me to. Personat përgjegjës janë ata të cilët e kanë kryer fizikisht veprën penale ose kanë qenë përgjegjës për urdhërimin e saj. Thënë thjesht, krimet e kryera në luftë , jo doemos janë rezultat i një plani apo politike edhe nëse ato janë relativisht të shumta në numër”, tha avokati i Selimit, David Young.
Avokatët kanë theksuar se provat do të tregojnë pafajësinë e klientëve të tyre.
Në ditën e tretë të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së , deklaratën hyrëse do ta paraqesë mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi më pas palët do të ballafaqojnë deklaratat e tyre. Gjykimi ndaj tyre pritet të vazhdojë më 11 prill, kur edhe do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve.