Takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh mbahet javën e ardhshme
Në fokus të këtij takimi do të jetë implementimi i obligimeve të marra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut. “Na vjen mirë se dialogu tash po bëhet kaq i popullarizuar në rajon dhe gjithnjë e më shumë vende po ofrohen që të jenë mikpritës të tij. Por, le të shkojmë hap pas hapi së pari, sepse dialogu është i bazuar në Bruksel”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se javën që vjen do të ketë vazhdim të takimeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me një takim të kryenegociatorëve Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, ka konfirmuar të martën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai ka thënë se fokusi në këtë takim do të jetë tek implementimi i obligimeve që palët kanë marrë në takimin e fundit të liderëve në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ai u është referuar edhe disa propozimeve që ka dhënë kryeministri aktual në detyrë në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, i cili kishte propozuar që takimi i radhës në nivel të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, të zhvillohet në territor të Malit të Zi.
