LAJMET E MBRËMJES

Hapet rruga që Telekomi t’i shpëtojë edhe 13 milionë euro në rastin me Z-Mobile

Vendimi i Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale i ka hapur rrugë Telekomit të Kosovës që t’i shpëtojë rreth 13 milionë euro në rastin me Z-Mobile.

Kjo dhomë e ktheu në rivendosje rastin e urdhrit përmbarimor, për të cilin shkalla e parë i pati shpëtuar ndërmarrjes rreth 1.66 milionë euro, por që e ka lënë të paqartë mundësinë për 13 milionët e tjerë, që do të llogariteshin nga përmbaruesi.

Shkallës së parë i është dhënë udhëzimi që të bëjë një ekspertizë financiare për vërtetimin e gjendjes faktike në rastin përmbarimor mes Telekomit e Z-Mobile. E gjatë shqyrtimit të ankesave të palëve konstatoi se ka shkelje të dispozitave dhe të procedurave kontestimore në vendimin paraprak të gjyqtarit Alajdin Tërshnjaku.

“Për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitivit dhe procedurës kontestimore, konstatimit jo të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, tani për tani vlerësohet se edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të gabuar, prandaj udhëzohet Gjykata e Shkallës së Parë që në riprocedurë të bëjë eliminimin e shkeljeve, ta ftojë ekspertin për sqarime në seancë dhe nëse ka paqartësi apo mangësi të veprojë sipas sugjerimeve të lartcekura, konform nenit 368 të LPK-së të shqyrtojë mundësinë e angazhimit të një grupi të ekspertëve për hartimin e ekspertizës financiare, si dhe shkelje të tjera të sipërtheksuara ashtu siç parashihet në dispozitat e LPK-së dhe LPP-së që pastaj të nxjerrë një vendim të drejtë në këtë çështje përmbarimore”, thuhet në vendimin e Dhomës së shkallës së dytë.

Telekomi ia ka paguar afro 40 milionë euro Z-Mobiles, bazuar në dy vendime të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Vendimi i parë ndërlidhet me marrëveshjen mes “Dardafonit” dhe Telekomit, nga janari i 2009-s.

Kjo marrëveshje parashihte që Z-Mobile të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Por mospajtimet mes palëve nisën kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë, apo më shumë se 200 mijë numra nga sa i ishin ndarë në fillim.

Në dhjetorin e 2016-s, Arbitrazhi pati vendosur në favor të kësaj kompanie. E sipas vendimit, Telekomi obligohej që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Rasti dyshohet se u inskenua nga ish-drejtuesit e Telekomit – Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, për ç’gjë eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, më 2016 i pati dërguar letër ish-prokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Por, deri më tash asnjë nga zyrtarët përgjegjës nuk është dënuar për dëmin e shkaktuar në ndërmarrjen publike Telekomi. Z-Mobile e pati fituar edhe rastin e dytë në Arbitrazh, pas mosvazhdimit të kontratës, për të cilin ndërmarrja ishte detyruar që t’i paguante 11 milionë euro shtesë.