Të pafajshëm janë deklaruar dy të akuzuarit për vrasjen e afaristit Bedri Rexhepi, që ishte zhdukur më 2021-n e trupi i tij ishte gjetur një vit më vonë. Në seancën gjyqësore për rastin, deklarimi i të akuzuarve nxiti tensionimin e familjarëve të të ndjerit. Ndërkaq pala mbrojtëse shprehu vërejtje për aktakuzën
Tensionim brenda sallës D27 të Gjykatës Themelore në Prishtinë nxiti të mërkurën i akuzuari J. V., për vrasjen e afaristit Bedri Rexhepi, kur përsëriti për të tretën herë se nuk ndihet fajtor për veprën që i vihet në barrë.
Familjarët e të ndjerit reaguan ashpër ndaj deklarimit të tij për ta shtyrë kryetaren e trupit gjykues, Medie Bytyqi, t’ua tërheqë vërejtjen rreth sjelljeve.
J. V. e N. V. akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe për dëmtim të varreve ose kufomave. Ata të mërkurën u shprehën të pafajshëm për akuzat, por rreth deklarimit të të akuzuarit N.V., trupi gjykues kërkoi sqarime shtesë.
“Fillimisht do të doja të dëgjoheshin dëshmitarët në tërësi dhe pastaj, kur të më vijë radha, ta jap fjalën time”, ka thënë N.V. i akuzuar.
“E pranon ose jo në tërësi, mirëpo ne për hir të drejtësisë, po kërkojmë sqarime, se edhe pranimi i fajësisë bëhet në tërësi”, ka pyetur kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.
“Me përfundimin e dëshmitarëve, atëherë flas çka më takon mua edhe për sot nuk e pranoj. Jo”, ka thënë N.V. i akuzuar.
Prokurori, Armend Hamiti, e avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, pretenduan se të akuzuarit e kryen vrasjen tinëzisht dhe për qëllim të përfitimit material nga i ndjeri.
“Ka ekzistuar dashja për kryerjen e këtyre veprave penale, të cilat iu vihen në barrë dhe me vetëdije kanë vepruar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke e vrarë në mënyrë tinëzare tani të ndjerin Bedri, më pas duke e fshehur kufomën me qëllim të shmangies së përgjegjësisë për veprën penale”, ka thënë Armend Hamiti, prokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Të akuzuarit u kujdesën që nga shtëpia e tyre ta transportonin në vendin e njohur për ta, në vendin e quajtur mali i madh...”, ka thënë Besnik Berisha, avokat i familjes së Bedri Rexhepit.
E këto pretendime i hodhën poshtë avokatët e të akuzuarve, që e kualifikuan aktakuzën të paqartë.
“Aktakuza është e paqartë, e pakuptueshme dhe e ngritur mbi supozime e në të cilën aktakuzë mungojnë elementet thelbësore të veprës penale ‘vrasje e rëndë’ e gjithashtu të veprës penale ‘dëmtim i varreve apo kufomave’”, ka thënë Alberina Foniqi, avokate e të akuzuarit J.V.
“I njëjti ka rrëfyer se të gjitha ato prova që janë propozuar të shtjellohen gjatë shqyrtimit kryesor të llastuara në faqen 4-5 të aktakuzës nuk do ta provojnë fajësinë e të njëjtit”, ka thënë Shemsedin Piraj, avokat i të akuzuarit N.V.
Rexhepi ishte raportuar i zhdukur më 8 prill të 2021-s. Vetura e tij e braktisur ishte gjetur afër fshatit Shushicë të Graçanicës po atë muaj, teksa trupi, në malet e Komunës së Novobërdës, më 30 shtator të 2022-s.