LAJMET E MBRËMJES

Stoltenberg dhe Scholz shprehën pritjen që Kosova e Serbia të ecin para me dialogun

Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë temë në takimin që presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e pati me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e edhe në atë mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Begaj kërkoi anëtarësimin e Kosovës në NATO, por për këtë nuk dha ndonjë sinjal Stoltenberg. Ndërkaq, Scholz dhe Rama e theksuan rëndësinë që ka një marrëveshje e shpejtë Kosovë-Serbi.

Përfaqësues perëndimorë kanë përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për ta pranuar Planin evropian për dialogun.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Plani evropian është mundësi historike për arritjen e një zgjidhjeje.

“Ne mendojmë se kjo është rruga e vetme drejt zgjidhjes dhe stabilitetit në Kosovë. Kemi një mundësi historike e që mund të jetë me përfitim për të gjithë rajonin. Kështu që ne mirëpresim qasjen konstruktive. Është e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis”, tha Stoltenberg.

Plani evropian kërkon nga Serbia që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Presidenti Begaj shtroi nevojën që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

“Ne jemi duke kaluar kohë sfidash të mëdha të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe të drejta. Në këtë kontekst, është në bindjen time se është më se e justifikueshme për të konsideruar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në aleancën euroatlantike”, u shpreh Begaj.

Por Stoltenberg nuk dha ndonjë qëndrim për këtë.

“NATO-ja është e pranishme në Kosovë dhe e marrin shumë seriozisht situatën aty dhe ne e mbështesim fort dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, theksoi ai.

Në anën tjetër presidenti Begaj tha se mendon që përveç prezencës së KFOR-it, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës duke qenë prezente në misione të ndryshme ndërkombëtare, beson që do të ishte vlerë e shtuar e Aleancës.

Nevojën që Kosova dhe Serbia të ecin përpara konform Planit evropian për dialogun, e shtruan edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas një takimi që patën në Berlin.

“Ky është një plan i cili mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Prandaj unë jam shumë i gëzuar që ne do të arrijmë në rezultatet konstruktive dhe të mira. Ndjesia ime është që tani mund të bëhet realitet ajo që dukej jo e mundur deri më tani dhe do të ishte mirë për zhvillimin e rajonit dhe Kosovës e Serbinë. Besoj që ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”, theksoi Scholz.

Ndërsa kryeministri Rama, ka thënë se e mbështesin fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. “Në këndvështrimin tonë është një plan shumë përmbajtjesor dhe shumë realist i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur dhe të cilin të dyja palët duhet ta trajtojnë jo vetëm me seriozitetin maksimal, por edhe me të gjithë kurajën e domosdoshme”, tha Rama.

Scholz dhe Rama bënë të ditur se 16 tetori është data kur në Tiranë do të mbahet Samiti i Berlinit, i pari samit në kuadër të Procesit të Berlinit që realizohet në rajon.